Arbëri

Eurodeputetët: Marrëveshja me Rusinë, sinjal për BE-në të stopojë anëtarësimin e Serbisë

Marrëveshja për koordinim të politikës së jashtme mes Serbisë dhe Rusisë ka nxitur reagime të shumta nga diplomatë të BE-së, por edhe në Kosovë. Duke e quajtur atë si goditje për proceset integruese të Ballkanit Perëndimor, kanë thënë se ajo është sinjal për BE-në që të stopojë anëtarësimin e Serbisë në strukturat e saj. Serbia e ka mbrojtur edhe sot marrëveshjen kundërthënëse të bashkëpunimit diplomatik me Rusinë, në kohën kur Moska po përballet me sanksione për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Nënshkrimi i marrëveshjes për koordinim të politikës së jashtme mes Serbisë dhe Rusisë, sipas disa eurodeputetëve dhe njohësve të çështjeve politike, është sinjal për Bashkimin Evropian që të stopojë anëtarësimin e Serbisë në strukturat e tij.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur skandal arritjen e saj, në kohën e agresionit ushtarak të Rusisë së Vladimir Putinit në Ukrainë.

“Ky është një skandal i rëndë. Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunimin e ardhshëm me agresorin - Rusinë. Ndoshta ky është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, ka thënë ajo.

Reagime kundër marrëveshjes ka pasur edhe nga eurodeputeti Vladimir Bilcik, që është raportues i Serbisë në Parlamentin Evropian, i cili ka thënë se Rusia po sulmon zgjerimin e BE-së.

“Si një mbështetës i zjarrtë i çdo hapi drejt një Serbie evropiane, unë e shoh lajmin e marrëveshjes për konsultime të planifikuara ndërmjet Serbisë dhe Rusisë një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor. Le të jemi të qartë: Rusia po mobilizohet për të sulmuar shtetin kandidat për në BE, Ukrainën, Rusia po sulmon zgjerimin e BE-së!”, ka thënë Bilcik.

Të shtunën kryeministri Albin Kurti ka reaguar duke thënë se marrëveshja Serbi-Rusi duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore demokratike.

Ndërsa të dielën ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shkruar në Twitter, duke kërkuar nga BE-ja sanksione ndaj Serbisë.

Edhe analisti amerikan, Janus Bugajski, ka thënë se është koha për të sanksionuar Serbinë, pasi Beogradi, sipas tij, po mbështet kriminelët e luftës në Kremlin.

“Koha për të sanksionuar Serbinë. Beogradi mbështet kriminelët e luftës në Kremlin. Pse duhet të përfitojë nga çdo fond apo investim i taksapaguesve të BE-së”, ka thënë Bugajski.

Kundër kësaj marrëveshjeje ka reaguar edhe ish-ambasadori dhe drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci.

“Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje është koha e fundit që si BE-ja dhe SHBA-ja, por sidomos edhe Shqipëria, të reflektojnë për politikat e tyre në raport me Serbinë. ‘Ballkani i Hapur’ nuk mund të bëhet me aleatë të Rusisë së Putinit dhe besoj se me marrëveshjen e djeshit duhet të kuptohet që ajo tashmë është e vdekur”, ka thënë Peci.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, është përpjekur të minimizojë rëndësinë e marrëveshjes me Rusinë pasi shteti ballkanik, i cili po kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, u përball me kritika për nënshkrimin e saj.

Selakoviq nënshkroi marrëveshjen të premten me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në margjinat e takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus lidhur me pushtimin e vendit në Ukrainë.

Selakoviq tha se marrëveshja ishte "teknike" dhe lidhej me lidhjet dypalëshe, por jo me çështjet e sigurisë.

Serbia ka nënshkruar dokumente të ngjashme me Rusinë që nga viti 1996, këmbëngulur Selakoviq.