Arbëri

Kurti: Sindikalistëve të PAN-it iu ka ndaluar koha në vitin 2017

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi ka votuar në zgjedhjet e Vetëvendosjes në shkollën “Gjergj Fishta” në Prishtinë, ka folur edhe për grevën e përgjithshme të BSPK-së të shpallur më 25 gusht, e që ka prekur edhe sektorin e arsimit.

Shkollat në Kosovë ende janë në grevë, ndërsa Kurti është thënë se të gjitha ofertat që ka bërë Qeveria i kanë refuzuar sindikatat.

Në prononcim për gazetarët pas votimit, ai ka thënë se “sindikalistëve të PAN-it iu ka ndaluar koha në qershorin e vitit 2017”.

Kurti ka bërë thirrje që të nisë mësimi.

“Mësimi duhet të fillojë sa më parë. Ne duam që mësimi të fillojë, është dashur të fillojë më 1 shtator. Jam i bindur se fëmijët duan të shkojnë në shkollë, prindërit duan që fëmijët t’i kenë në shkolla, e mësimdhënësit duan që të japin mësim në shkolla. Nuk duam të bojkotohet shteti, sepse shkolla është shteti. Të gjitha ofertat tona për Këshillin Grevist dhe Sindikatën e Arsimit nuk kanë vlejtur, u refuzuan. Për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng, për përshtypjen time të fuqishme, gjitha takimet që kam pasur, bëhet fjalë për një lloj inati anti-qeveritar. Kurs kundër Qeverisë së progresit e shpresës, prej sindikalistëve të PAN-it të cilëve iu ka ndaluar sahati më 5 qershor të vitit 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it dhe duan t’i bëjnë shërbim PAN-it në opozitë, duke bërë grevën armë kundër Qeverisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se pako e ndihmës për ta luftuar inflacionin, në vlerë 150 milionë euro, është 50 për qind më e madhe se buxheti për ushtri për një vit.

Ai ka thënë po ashtu është në diskutim publik edhe Ligji për paga, ndërsa ka thënë se Qeveria do të vazhdojë me ndihmë.