Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka kritikuar Qeverinë për trajtimin që po i bën sektorit të shëndetësisë. Sipas Sejdiut, për një vit nuk është bërë asnjë analizë e mirëfilltë për gjendjen e këtij sektori.
Por kritika të ngjashme, Sejdiu pati edhe për qeveritë e tjera në të kaluarën.
“Për një vit nuk po bëhet një analizë e mirëfilltë se ku jemi. Ministria e Shëndetësisë, qoftë niveli politik apo administrativ apo menaxherial i Ministrisë, por edhe menaxherët e institucioneve, është dashur që së paku në gjashtë muajt e fundit të bëhet një analizë dhe nuk është bërë një analizë. Prandaj as edhe Qeveria e kaluar dhe as ajo e parakaluar nuk kanë bërë analizë se ku jemi, pse kemi ardhur në këtë gjendje dhe pastaj të dimë hapat. Nuk ka nguti, nuk e kemi kritikuar Ministrinë aktuale se pse nuk po bën ndryshime menjëherë sepse nuk janë ndryshime të menjëhershme që mund të ndodhin. Por të sanohen disa çështje që të ecim përpara”, ka thënë ai për KosovaPress.
Megjithatë, mjekët e kanë mirëpritur koeficientin në ligjin e pagave, por kërkojnë që të hyjë në fuqi sa më shpejt. Në ligjin e pagave, këta profesionistë shëndetësorë janë kategorizuar me koeficientin 12.
“Është një pozitë më e vogël sesa ne kemi menduar në nivel, por unë besoj se është në rregull. Është një denivelim, pak një diferencë paksa e madhe në mes të mjekëve të përgjithshëm dhe specialistëve. Ne jemi koncentruar të sigurojmë që ky ligj do të ecë përpara dhe në lëmit tjera të mos ketë disparitet mes parimeve mes të cilave është bërë ky ligj. Mendoj se ekziston një opinion në përgjithësi ku shumica janë të kënaqur me këtë nivel që është caktuar me koeficientin 12, por gjithsesi me atë brengën se sa do të jetë shuma e një koeficienti”, theksoi ai.
Ligji i ri i pagave, i cili nga kjo e enjte ka dal në diskutim publik, parashihet të hyjë në fuqi tetë muaj pas publikimit në gazetën zyrtare, e kjo ka shfaqur pakënaqësi tek Oda e Mjekëve, ku thonë se këto vonesa në aprovim dhe hyrje në fuqi të këtij ligji do të ndikojnë që edhe më shumë të ikin mjekët nga Kosova.
“E kemi pritur një vonesë të tillë të planifikuar, por unë mendoj se nëse ligji nuk hynë në fuqi në muajt e parët të vitit të ardhshëm, atëherë do jetë asgjë, do të jetë një zgjatje e krizës, do të jetë vazhdim i krizës. Kjo krizë financiare te vetë mjekët do të prodhojë atë çka është duke ndodhur, largimin në masë të mjekëve nga sektorit publik”, theksoi Sejdiu.
Sipas tij, 170 mjekë kanë marrë vërtetim për të ikë jashtë vendit, ndërsa mbi 60 të tjerë kanë lënë sektorin publik dhe kanë vazhduar të ushtrojnë profesionin e tyre në atë në privat.
Punëtorët e QKUK-së kanë paralajmëruar një protestë më 21 shtator. Ata po kërkojnë rritjen e pagave për 50 për qind deri në hyrjen në fuqi të ligjit të pagave.