Bateritë e Telekomit të Kosovës në stacionet bazë, të vendosura nëpër objektet banesore, nuk e përballojnë mungesën e energjisë as gjysmë ore. Pa rrymë e pa shërbime të internetit e të telefonisë mobile rrezikojnë të mbeten qytetarët edhe gjatë sezonit të dimrit, shkaku i paralajmërimeve për situatë të vështirë energjetike. Në Telekom kanë premtuar zgjidhje para dimrit. Thonë se janë në proces të blerjes së pajisjeve që i përballojnë reduktimet e energjisë nga 5 deri në 7 orë
Reduktimet e fundit të energjisë elektrike kanë vënë në pah mungesën e investimeve për afro një dekadë edhe në Telekomin e Kosovës. Bateritë në stacionet bazë, të vendosura sidomos nëpër objektet banesore, nuk e përballojnë mungesën e energjisë as për gjysmë ore, duke lënë qytetarët pa shërbime të telefonisë. Pa rrymë e pa shërbime të internetit e telefonisë mobile rrezikojnë të mbeten qytetarët edhe gjatë sezonit të dimrit, shkaku i paralajmërimeve për situatë të vështirë energjetike.
Drejtori teknik në Telekomin e Kosovës, Halil Krasniqi, ka treguar arsyet për mungesë të shërbimeve gjatë muajit të kaluar.
“Reduktimet e fundit na kanë vendosur para një situate të vështirë, pasi që antenat tona punojnë me bateri dhe bateritë industriale kanë një kohë të caktuar, disa janë dy orë e disa tri orë, varësisht nga vështirësitë. Reduktimet e fundit të energjisë ishin të mëdha, kryesisht nëpër zonat urbane, ku në krejt lagjet ishin reduktimet me orë të tëra dhe kjo na ka shkatërruar, duke pasur rënie të krejt stacioneve të asaj zone”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se kjo çështje është trajtuar me prioritet dhe, sipas tij, së shpejti do ta shpallin tenderin për blerjen e pajisjeve, që do të kenë mundësi furnizimi me energji deri në 7 orë.
“Duam të blejmë pajisje bukur të avancuara, që kanë autonomi diku 5-7 orë, pasi që kjo 1 orë dhe 2 orë e pamë që nuk e përballon dot. Në 40 pika strategjike që janë në zona urbane, së shpejti do t’i instalojmë ato, në mënyrë që të mos na përsëritet assesi kjo situatë”, ka thënë Krasniqi.
Por, jo të gjitha pikat do të pajisjen me bateri të reja, ndërsa shuma për një stacion do të sillet rreth 8-9 mijë euro.
“Ne mendojmë njëherë vetëm këto 30-40 pika të shohim çmimet që na vijnë, por mendojmë t’i vendosim në pikat më të ndjeshme në zona urbane, që edhe nëse bien dy antena, njëra ta mbulojë pjesën tjetër”, ka theksuar ai.
Telekomi i ka mbi 550 antena të vendosura në tërë Kosovë. Prej tyre, 300 janë të shpërndara nëpër qytete, ndërsa 250 të tjera nëpër fshatra.
KOHA ka raportuar më herët se këto antena ishin vendosur edhe në prona të politikanëve, familjarëve, por edhe njerëzve të afër me ish-menaxhmentet dhe bordet e kaluara në Telekom, të cilët kishin përfituar miliona nga to. Por, përkundër këtij mbulimi me antena shërbimet nuk janë përmirësuar. Për shërbime jocilësore vetëm brenda muajit të kaluar janë paraqitur 19 ankesa në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, te Departamenti për Konsumatorët.
Nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare kanë thënë se mungesa e energjisë ka shkaktuar telashe edhe në fushën e komunikimeve elektronike.
“ARKEP-i ka kërkuar nga operatorët mobilë informata të detajuara për këtë situatë dhe ata e kanë konfirmuar edhe përmes shkresave zyrtare dhe në komunikatat e tyre publike për konsumatorët se situata e tillë është si pasojë e mungesës së energjisë. Rënia e sinjalit në pjesë të caktuara ka ndikuar edhe në mbingarkesën e rrjetit, rrjedhimisht edhe në kualitetin e shërbimeve të ofruara”, thuhet në përgjigjen e tyre.
ARKEP ka bërë të ditur se është duke bërë përpjekje që të ofrohen shërbime të komunikimeve elektronike me kualitet të lartë në tërë vendin.