Arbëri

ZRRE: Elektroseveri s’ka përmbushur asnjë kriter

Kompania serbe, Elektrosever, e licencuar për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike, nuk i ka plotësuar ende kushtet që ia përcakton udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndonëse i kanë mbetur më pak se tri javë për një gjë të tillë, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) në Kosovë thonë se në bazë të informacioneve që kanë, asnjë nga kriteret e përcaktuara “nuk është përmbushur”.

Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e këtij viti - për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.

REL ka pyetur edhe kompaninë Elektrosever për zbatimin e kritereve të marrëveshjes, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Udhërrëfyesi për Marrëveshjen e Energjisë përcakton se, në rast të mosveprimit me kushtet e caktuara brenda 100 ditësh nga licencimi, Elektroseverit mund t’i pezullohet ose tërhiqet licenca nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Megjithatë, një vendim i tillë do të duhej të diskutohej paraprakisht mes palëve, përkatësisht mes Kosovës dhe Serbisë.

ZRRE i ka miratuar licencën Elekstroseverit më 24 qershor, apo para 82 ditësh.

Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë - EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Kjo kompani është paraparë të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës - pjesë e banuar me shumicë serbe.

Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor. /REL