Arbëri

Krasniqi-Kurtit: Je larg çdo cilësie të një burrështetasi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti si “pushtetar” e që është larg çdo cilësie të një burrështetasi për të gjetur një zgjidhje për grevën e mësimdhënësve.

Krasniqi i ka thënë Kurtit ta ofrojë kompromisin për Sindikatën e Bashkuar për Arsim, “sepse mësimdhënësit e kanë zgjedhur Rrahman Jasharin, por qytetarët të kanë zgjedhur ty”.

“Burrështetasit nga pushtetarët i ndanë mënyra se si e shohin karakterin e qeverisjes. Për të parët, pushteti është marrëdhënie e qeveritarëve me të qeverisurit. Për të dytët, është pronësi mbi të qeverisurit. Ti Kryeministër, dialogun me sindikatat e ke nisur mbrapshtë dhe je duke e ushqyer mbrapshtë, tamam si një pushtetar, larg çdo cilësie të një burrështetasi”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas kreut të opozitës, sot është dashur të kishte marrëveshje mes Qeverisë dhe SBASHK-ut.

“Por, marrëveshje nuk ka as sot sepse nuk mund të ketë rezultat kur nuk ka konsideratë e as vullnet për të gjetur zgjidhje. Ndërsa familjeve, prindërve, e më së shumti fëmijëve, ju duhet zgjidhja e jo bllokada”, ka shkruar tutje Krasniqi.

Në fund, kryetari i PDK-së bëri apel që fëmijët të kthehen në shkollë me urgjencë e kërkoi nga Kurti ta gjejë një zgjidhje për këtë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura u takua sot me Kurtin, por nuk pati ndonjë rezultat.

 

Burrështetasit nga pushtetarët i ndanë mënyra se si e shohin karakterin e qeverisjes. Për të parët, pushteti është...

Posted by Memli Krasniqi on Tuesday, September 13, 2022