Një takim i paralajmëruar mes BSPK-së e Qeverisë për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund grevës nuk u mbajt këtë të shtunë.
Ftesën për takim, të cilën e priste Këshilli Grevist, nuk dërgoi Qeveria, ani që ajo u ishte paralajmëruar sindikalistëve një ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Social.
Mosgatishmëria e Qeverisë për t’u takuar me sindikatat u quajt qasje e gabuar nga Këshilli Grevist i BSPK-së dhe SBASHK-ut.
Ata paralajmëruan se tash e tutje në takimin me Qeverinë do të shkojnë vetëm atëherë kur ajo t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.
“Takime në stilin ju sindikatat heshtni dhe pranoni ato që po themi ne nuk do të ketë më. Qeveria është i vetmi fajtor dhe derisa ajo vazhdon me injorancë e fjalime të thata, greva do të vazhdojë, sepse kështu kanë vendosur, jo individët, por grevistët”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.
Nga ekzekutivi ka reaguar vetëm ministrja e Arsimit për grevën e përgjithshme që po mbahet në këtë sektor.
Ajo tha se është e gatshme për bashkëpunim, porse, sipas saj, SBASHK-u është bllokuar në kërkesën për 100 euro ose për shumën e shtesave që Qeveri-SBASHK mund të merren vesh.
“Greva ka kuptim kur nuk i dëmton nxënësit dhe procesin mësimor. Në situatën aktuale më shumë është shantazh, e përballë shantazhit nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojmë për vlerat antishantazh”, ka deklaruar Nagavci.
Sindikalistët po kërkojnë nga 100 euro shtesa deri në miratimin e Ligjit të pagave.
Ligji i pagave aktualisht i ka kaluar vetëm konsultimet paraprake dhe ende nuk ka dalë në konsultim publik.
“Aktualisht janë duke u trajtuar një nga një dhe me kujdes komentet e pranuara gjatë konsultimeve paraprake para se të procedohet projektligji për konsultime publike. Pritjet tona janë që projektligji të dalë në konsultime publike gjatës javës tjetër”, ka njoftuar Qeveria.
Deri në miratimin e tij në Kuvend, për shkak të procedurave administrative, mund të kalojnë muaj.