Prishtinë/Beograd, 9 shtator – Dinamikë të re në procesin e dialogut ka kërkuar emisari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, në takimet e ndara që të premten ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë dhe me presidentin e Serbisë në Beograd. Në të dy takimet Lajçaku është shoqëruar nga këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, përkatësisht nga Jens Plotner e Emmanuel Bonne. Përveçse e ka vlerësuar të thellë e të rëndësishëm diskutimin me Kurtin, Lajçaku nuk ka dhënë shumë hollësi.
“Siç keni parë ne kemi kaluar më shumë se dy orë me kryeministrin Albin Kurti duke diskutuar për dialogun dhe si të sjellim dinamikë të re të procesit dhe si ta çojmë procesin përpara. Ishte një diskutim shumë i thellë dhe i rëndësishëm dhe besoj se mund ta kuptoni se nuk mund t`i bëjmë të ditura detajet, sepse të njëjtat diskutime më vonë gjatë ditës qenë me presidentin Vuçiq. Ne përfunduam pjesën e parë të misionit tonë në Prishtinë”, deklaroi Lajçak.
Të rezervuar për informatat mbi përmbajtjen e takimit janë treguar edhe në Qeverinë e Kosovës. Përmes një njoftimi për media, zyrtarët e saj kanë thënë se ardhja edhe e këshilltarëve gjermanë e francezë është bërë me qëllim të gjetjes së opsioneve të ecjes përpara të procesit të bisedimeve.
“U theksua se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t`u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë. Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër”, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim të kryeministrit. Krahas dialogut, sipas njoftimit të kësaj zyre, është diskutuar edhe për çështje të tjera.
“Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor”.
Pas takimit me Kurtin delegacioni i të dërguarve evropianë pasditen e së premtes ka udhëtuar për në Beograd. Në mbrëmje ata janë takuar me presidentin Vuçiq. Ndërsa po zhvilloheshin bisedimet, Vuçiqi ka publikuar një deklaratë të tij në të cilën ka thënë se janë të gatshëm për kompromis, porse nuk do të ketë njohje të Kosovës.
“Bashkëbisedim për të ardhmen e Serbisë dhe nuk do të ketë njohje të Kosovës! Jam duke biseduar aktualisht me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Francës dhe Gjermanisë, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner. Gjithmonë i gatshëm për zgjidhje kompromisi, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. S’ka dorëzim. Rroftë Serbia!”, ka thënë Vuçiqi në një njoftim në Instagram.
Pas përfundimit të takimit Vuçiqi nuk ka dhënë deklaratë, ndërsa emisari i BE-së, Lajçak, ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme do të ketë intensifikim të përpjekjeve të BE-së për procesin e dialogut. Në një shkrim të shkurtër në Twitter ai ka thënë se takimet ishin përmbajtjesore, ndërsa ka bërë një paralajmërim.
“Sot, bashkë me këshilltarët e lartë për politikë të jashtme të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, pata diskutime gjithëpërfshirëse, të rëndësishme me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për të shikuar opsionet për progres në dialog. Procesi do të vazhdojë në ditët e ardhshme”, ka shkruar ai në Twitter.
Interesimi i ndërkombëtarëve në procesin e dialogut është mirëpritur nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës. Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka shkruar të premten se është e domosdoshme që krahas angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë të ketë edhe një unitet të brendshëm politik e shoqëror. Hoti ka kritikuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti për mostransparencë.
“Me këtë interesim të shtuar është e domosdoshme të sigurohet kohezioni i brendshëm politik dhe shoqëror për të mbështetur Qeverinë në dialog për marrëveshjen finale. Por, paraprakisht duhet të sigurohet transparencë e plotë nga ana e Qeverisë përmes raportimit në Kuvend, e cila gjë ka munguar pavarësisht rezolutës së Kuvendit ku i kërkohet kryeministrit të raportojë para dhe pas çdo rundi të dialogut. Nuk ka forum tjetër për raportim përveç Kuvendit. Takimet me kryetarët e partive politike opozitare nuk e zëvendësojnë raportimin në Kuvend”, ka shkruar deputeti i LDK-së. Sipas tij, përveç ndaj Kuvendit, transparenca në dialog duhet të sigurohet edhe karshi komunitetit akademik, shoqërisë civile dhe mediave.
“Transparenca karshi tyre ia mundëson Qeverisë të marrë sugjerime të dobishme dhe në veçanti e ndihmon në informimin e publikut të gjerë për të krijuar kohezionin e nevojshëm mbështetës për marrëveshjen finale”, ka thënë Hoti.
Vizita e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Kosovë, është e dyta brenda dy javësh. Ai në Kosovë qëndroi edhe në fund të gushtit. Së bashku me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, arritën në gjetjen e një zgjidhjeje për shmangien e tensioneve në veri të vendit, në prag të hyrjes në fuqi të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në letërnjoftime dhe shfaqën besimin se do të ketë mirëkuptim mes palëve edhe për çështjen e targave.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.