Arbëri

Një edukatore në privat punon më shumë e paguhet më pak se koleget e saj në publik

Pavarësisht se edukatoret e çerdheve publike qëndrojnë me pagë më mirë sesa ato në kopshte private, përfitojnë edhe nga shtesat e Qeverisë. Pagat e tyre pritet të rriten edhe me ligjin e ri për paga, ndërsa që vazhdojnë të jenë në grevë. Të dhënat tregojnë për diferencën në pagat e këtyre mësimdhënësve në raport edhe me orët që punojnë gjatë ditës. Në Asociacionin e Institucioneve Parashkollore Private kanë akuzuar Ekzekutivin se po shkakton pabarazi sociale

Rreth dy muaj e gjysmë punë i duhet një edukatoreje në çerdhet private që ta plotësojë shumën e taksave prej 50 eurosh, të cilat Qeveria ka vendosur t’i ndajë për sektorin publik e nga e cila nuk do të përfitojë vetë. Paga e një edukatoreje që punon 8 orë në ditë në çerdhet private aktualisht në shumicën e kopshteve sillet rreth 250-350 euro, me raste specifike më shumë. Ndërsa një mësimdhënëse e njëjtë në institucionet parashkollore publike paguhet afro 550 euro. E me ligjin e ri të pagave do të arrijë shifrën mbi 600 euro.

Pavarësisht pagës në fuqi, shtesës 50 euro dhe zotimit të Qeverisë për rritje, me hyrjen në grevë të punëtorëve të arsimit, nga 25 gushti punën e kanë bojkotuar edhe kopshtet publike të fëmijëve.

Gëzime Rexhepi-Çollaku, nga Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private, thotë se ani se janë kontribuuese në buxhetin e shtetit, si të tilla asnjëherë nuk përfitojnë.

“Sektori privat me sektorin publik asnjëherë nuk munden me garu sa u përket pagave, duke pasur parasysh që para fushatave zgjedhore gjithmonë ka pasur ngritje të pagave për të arritur qëllimin e tyre për të ardhur në krye të Qeverisë, ndërsa sektori privat gjithmonë është i anashkaluar, sepse nuk ka mbështetje nga shteti, pavarësisht që është kontribuues i vazhdueshëm i shtetit, atëherë ishte dashur të gjendej një modalitet i bashkëpunimit kur është fjala për sektorin privat, në këtë rast institucionet parashkollore dhe ato private gjithsesi e kanë rritur edhe numrin e fëmijëve në përfshirjen e edukimit të hershëm”, ka thënë Rexhepi-Çollaku.

Në institutin për politika sociale “Musine Kokalari” kanë thënë se mungesa e madhe e dialogut social mes Qeverisë dhe këtyre dy sektorëve po shkakton pabarazi të madhe mes tyre. Fjolla Muçaj nga ky institut ka thënë se mospërfshirja e sektorit privat në pakot ndihmëse të Qeverisë është e dëmshme.

“Realisht ne e dimë që ku qëndron sektori privat edhe në çfarë kushtesh operon. Punëtorët e sektorit privat edhe për pagat, po edhe për kushtet e punës janë shumë më të dobët sesa të sektorit publik, edhe nëse flasim për sektorin privat, edhe aty kemi dallimin në mes të progresioneve gjithashtu. Mirëpo po e shohim së fundi që ndarja e këtyre shtesave që po bëhet, po bëhet në një mënyrë të cilën edhe ne si hulumtues e kemi të vështirë me pa më larg dhe me pa se cili do të jetë efekti i saj, e veçanërisht tash kur shtesat e fundit u ndahen vetëm sektorit publik”, ka thënë Muçaj.

Në Asociacionin e Institucioneve Parashkollore Private kanë thënë se mbyllja e çerdheve publike ka detyruar prindërit që të sjellin fëmijët në ato private në pamundësi për t’u kujdesur në shtëpi.

KOHA ka pyetur edhe Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës rreth kushteve në të cilat operojnë kopshtet private, por nuk ka marrë përgjigje.