Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ai shkroi në Facebook të hënën, se me dy zyrtarët bisedoi për rrjedhën e politikës së përgjithshme në Luginë të Preshevës. Temë e diskutimit ishte edhe angazhimi i Kosovës në dialogun me Serbinë për më shumë të drejta për shqiptarët.
“Biseduam për rrjedhat e përgjithshme politike në Luginë të Preshevës e rajon, nevojën e prezencës më të madhe të Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës me projekte konkrete, nevojat e qytetarëve të Luginës në Kosovë e sidomos për angazhim më të madh të përfshirjes të të drejtave të shqiptarëve në dialog me Serbinë duke aplikuar parimin e reciprocitetit”, tha ai.
Në ditën kur Bislimi e Nagavci vizituan Luginën e Preshevës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, vizitoi Kosovën, duke u ndaluar në veri të vendit.
Para qindra qytetarëve serbë, Bërnabiq deklaroi se ka ardhur në Kosovë për të sjellë mesazhe paqeje, ndonëse provokoi dhe kërcënoi.
“Populli serb (në Kosovë v.j.) duhet ta dijë se askush, askush nuk guxon ta rrezikojë”, tha ajo të hënën, në vizitën e parë në Kosovë si kryeministre e shtetit fqinj.
Ndërsa kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, nuk ka pranuar të takohet me Bislimin e Nagavcin, në takimin e paraparë për në orën 15:00 me liderët politikë të kësaj komune.
Ai ka thënë se janë disa arsye pse nuk do të takohet me ta, ndërsa ka theksuar që nuk pranon t’i nënshtrohet politikave të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nuk do të takohem me ta për shkak se e kanë injoruar komunën e Preshevës dhe çdo shqiptar në Luginë. Arsyeja tjetër është që këto janë politikat e Lëvizjes Vetëvendosje sepse unë nuk i nënshtrohem atyre dhe kritikat të cilat i jep në kuadër të politikave të saj në dialog i shoh të mangëta në koncept dhe në përfshirje të shqiptarëve në zgjidhje. Një tjetër arsye është që ende nuk i kanë dërguar dy milionë eurot e premtuara për Luginën”, ka thënë ai.