Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se dikasteri që e drejton nuk njeh parti politike kur bëhet fjalë për mbështetjen që u jep komunave përmes granteve dhe subvencioneve.
Peci ka mohuar se Qeveria po ofron përkrahje më të madhe për komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet.
“Absolutisht (përkrahja) është e njëjtë për të gjitha komunat, në kuadër të investimeve kapitale për kategorinë e investimeve në sektorin e ujitjes, kemi nënshkruar memorandume me tetë komuna, prej tyre dy komuna që u është ofruar përkrahja janë nga Vetëvendosje, dy janë nga LDK, dy nga PDK dhe dy nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Përkrahja ka qenë edhe në aspektin e përfaqësimit të rajoneve të Kosovës, por edhe në aspektin e përfaqësimit politik, kështu që ne nuk njohim as parti politike në nivel të komunikimit me fermerët, me komunat në proces të realizimit të investimeve”, ka thënë ai.
Sipas Pecit, aktualisht fermeri i Kosovës është më i përkrahur në rajon, mirëpo ka përmendur situatën jo të favorshme për shkak të ngritjes së çmimit të imputeve bujqësore.
“Përkrahja jonë në kategorinë e subvencioneve shkon deri në 216%, është rritje enorme dhe shumëfishim në të gjitha kategoritë e përkrahjes për fermerët, është përkrahja më e madhe në rajon, është përkrahja më e madhe ndonjëherë e realizuar në sektorin e bujqësisë. Tash ne nuk mundemi si institucione ose si vend i vogël të ndikojmë në nivelin e çmimeve të naftës ose të trendit të produkteve ose imputeve bujqësore që kryesisht kanë ardhur si rezultat i krizës energjetike, efektit të pandemisë dhe luftës në Ukrainë”, ka thënë ai.
Faton Peci nga Lista Guxo nuk i ka komentuar raportimet që flasin për largimin e deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga kjo parti.
Sipas tij, nëse deputetja ka diçka për të thënë i takon të deklarohet, ndërsa shton se nuk kanë ndonjë qartësim nga ana e saj lidhur me këtë çështje.
“Ne presim qëndrimet nga deputetja në fjalë, përderisa nuk e kemi një qartësim të saj, ne vazhdojmë me mendu që ato janë pjesë e diskutimeve ose shkrimeve në nivel gazetaresk”, ka thënë ai. /KSP