Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të shtunën, për shtesën prej 50 euro nga muaji shtator për të gjithë punëtorët e sektorit publik.
Krasniqi ka kërkuar nga kryeministri Kurti përmes një postimi në Facebook që t’i lërë fjalët dhe t’i ekzekutojë pagat e muajit gusht.
“Kryeministër, lej pallavrat, qiti rrogat!”, ka shkruar shkurt në Facebook Krasniqi.
Në një konferencë për media të shtunën, ministri Murati prezantoi një pako financiare nga Qeveria si ndihmë për të përballuar inflacionin.
Ai në konferencë u pyet edhe për pagat në sektorin publik, për punonjësit që janë futur në grevë. Deri tash ato janë ndaluar nga Ministria që kërkonte listat e punëtorëve nga komunat, për t’ua ndalur pjesën e pagës për ditët që nuk kanë punuar, për shkak të grevës së nisur nga 25 gushti.
Komunat nuk i kanë dorëzuar listat.
Murati në fjalën e tij kritikoi zyrtarët komunalë duke thënë se “në të kaluarën mund të ketë pasur raste kur ligjet s’janë zbatuar sepse ishin si llastiku”, e duke paralajmëruar se tash ata do të përballen me masa.
Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se për shkak të krizës së rëndë ekonomike, pagat do të procedohen.