Arbëri

Insulina që po ua përkeqëson gjendjen të sëmurëve me diabet – MSH dërgon mostra në Kroaci

Tahir Thaçi nga Rahoveci ka 20 vjet që është diagnostikuar me sëmundjen e diabetit, ndërsa tash e 15 vjet për trajtimin e kësaj sëmundjeje e përdor insulinën.

Deri në vitin e kaluar ai ka marrë insulinën e quajtur Novomix, derisa Ministria e Shëndetësisë e solli në Kosovë një lloj tjetër, Gensulina biosemilare, për t’ua shpërndarë falas pacientëve, raporton KTV.

Ditëve të fundit, Thaçit, përdorimi i Gensulinës, gati i kushtoi me jetë, pasi siç thotë, jo vetëm se nuk ia stabilizoi gjendjen e sheqerit, por i bëri edhe më keq.

Pasi ishte paralajmëruar shumë herë për këtë lloj insuline, e cila, edhe sipas mjekëve nuk ishte e duhura dhe kishte efekte negative, ai sërish ka vazhduar ta marrë, por me shumë dyshime.

Në fund, dyshimet e tij u vërtetuan, pasi, siç thotë, me përkeqësimin e gjendjes gjatë vizitës tek endokrinologu e kuptoi se këtë lloj insuline e ka marrë kot dhe vetëm sa i ka shkaktuar pasoja.

Ai e akuzon Ministrinë e Shëndetësisë se po luan me shëndetin e 12 mijë personave të tjerë, të cilët e përdorin këtë insulinë.

Kohavisioni ka kontaktuar edhe endokrinologun Luan Gola, i cili vitin e kaluar në Komisionin për shëndetësi para deputetëve kishte folur për efektet negative që mund të pësojnë pacientët me diabet.

Gola nuk ka dashur të flasë para kamerës, por shkurt ka thënë se qëndron prapa deklaratave se ky lloj i insulinës nuk është dashur të përdorej asnjëherë.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë, pas shqetësimeve të shumta të ngritura si nga pacientët, ashtu edhe nga mjekët, thotë se ka dërguar disa ekzemplarë të Gensulinës për analizë të cilësisë në Zagreb të Kroacisë.

Ministria thotë se, në rast se konfirmohet që produkti nuk i ka përmbushur standardet, do të kërkojë llogari dhe dëmshpërblim nga operatori.

Por, të sëmurët dhe familjarët e tyre kanë akuzuar direkt ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani se e lejoi eksperimentimin e këtij bari në një komunitet të madh, siç është ai i diabetikëve në Kosovë.