Arbëri

Nagavci thotë se kërkesat e sindikalistëve janë përmbushur në Draftligjin për paga

Foto: Alban Bujari / KOHA
 

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ndërsa ka sqaruar se të gjitha kërkesat e sindikalistëve janë përmbushur në Draftligjin për paga, ka thënë se të gjithë duhet të kontribuojnë për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor. Nagavci i ka konfirmuar mospajtimet me komunat sa i përket komunikimit rreth grevës

Të gjitha librat kanë mbërritur në shkolla, përveç atyre të klasës së pestë, kanë thënë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Por, fillimi i vitit të ri shkollor më 1 shtator pritet të mos nisë në të gjitha shkollat në nivel vendi shkaku i grevës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit. Ministrja Arbërie Nagavci i ka përsëritur thirrjet e saj për mobilizim, në mënyrë që të fillohet mbarë viti i ri shkollor.

“Fokusi i të gjithë neve duhet të jetë përmirësimi i humbjeve dhe ngritja e cilësisë në arsim. Fëmijët tanë meritojnë dhe duhet t’u ofrojmë më mirë. Andaj ju ftoj të gjithëve, të dashur mësues, drejtorë shkollash, zyrtarë komunalë e punëtorë të tjerë të arsimit, të dashur prindër, që të punojmë bashkë për nxënësit e për mësuesit, për të gjithë ne. Ftoj prindërit, mësimdhënësit, nxënësit, që të gjithë së bashku të mobilizohemi e ta fillojmë mbarë vitin e ri shkollor. Nga zhvillimi i procesit mësimor përfitojmë të gjithë”, ka thënë Nagavci.