Ministria e Arsimit ka thënë që më 1 shtator do të nisë viti i ri shkollor në të gjitha institucionet e arsimit fillor e të mesëm në vend, edhe pse Sindikata e Bashkuar e Arsimit tashmë ka nisur grevën e ka paralajmëruar se s’do të nisë mësimin. Në një komunikatë për media të mërkurën, kjo ministri ka thënë se përveç autoriteteve qendrore e lokale askush s’ka të drejtë t’i mbyllë shkollat.
MASHTI u ka bërë thirrje prindërve dhe nxënësve që të komunikojnë me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollave për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor nga 1 janari dhe sipas cilit orar.
“Nesër, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Republikën e Kosovës. Të nderuar qytetarë, në dy vitet e kaluara kemi pasur pengesa të fillojmë me kohë vitin shkollor, si pasojë e pandemisë COVID-19, e cila ka ndikuar në çrregullimin e procesit mësimor dhe ka shkaktuar humbje të konsiderueshme mësimore. Edhe ky vit shkollor do të jetë sfidues, për shkak të krizës globale ekonomike dhe asaj të energjisë, të cilat janë jashtë kontrollit tonë. Përkundër faktit se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, fillimi i suksesshëm i vitit shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u. Përderisa legjislacioni ynë e njeh të drejtën e të gjithë punëtorëve për grevë, e njeh edhe të drejtën për të punuar të atyre të cilët nuk janë pjesë e grevës”, thuhet në njoftim të ministrisë.
“Kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t'i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë. Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë”, ka shtuar kjo ministri.
Ministria ka thënë se ka qenë e hapur për dialog me sindikatat dhe i ka adresuar kërkesat e tyre. Ka shtuar se për çdo problem mund të gjendet zgjidhja, duke bërë thirrje që të mos dëmtohen fëmijët.
Pak orë para reagimit të ministrisë, nga SBASHK-u u tha se s’do të ketë kthim prapa në qëndrimin për grevë.
Grevistët po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Qeveria është kundërpërgjigjur duke paralajmëruar ndalimin e pagave.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.