Arbëri

Trajkoviqi i reagon Petkoviqit: Mos e gënjeni popullin, dokumentet i garanton plani i Ahtisaarit

Politikania serbe, Rada Trajkoviq, i ka reaguar drejtorit të së ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke thënë se ai po tenton ta gënjejë popullin serb.

Petkoviq ka thënë se marrëveshja për dokumente mes Kosovës dhe Serbisë, ruan letërnjoftimet serbe në Kosovë dhe se është ruajtur edhe prania e shtetit të Serbisë në Kosovë.

Por, Trajkoviq ka thënë se letërnjoftimet e Serbisë në Kosovë janë të garantuara me planin e Marti Ahtisaarit, dhe se Petkoviq po gënjen popullin serb e po tenton ta kthejë në fitore një debakël diplomatik.

“Mos u lavdëroni për meritat e njerëzve të tjerë Petar Petkoviq. Të drejtën e dokumenteve serbe për serbët në Kosovë e garanton Marti Ahtisaari me planin e tij, e jo Aleksandar Vuçiq. Mos e gënjeni popullin dhe mos e përktheni në sukses këtë debakël tuaj diplomatik”, ka shkruar Trajkoviq në Twitter.