Arbëri

Daily Mail me rrëfim për mafinë shqiptare në Angli

Mediat britanike kanë raportuar të shtunën lidhur me aktivitetin e “mafisë shqiptare” me substancat narkotike, influencën me oficerë të policisë dhe aktivitete të tjera trafiku, dhune e përfitimesh të paligjshme.

E përditshmja Daily Mail përmendte rastin e një vile në Hartlepool në një zonë të neglizhuar në verilindje të vendit, ku pas një informacioni policia kapi 75 bimë kanabisi, që sipas autoriteteve kishin një vlerë totale prej 61,000 funte — thuajse dyfishi i vlerës prej 32,000 që kushton e gjithë prona.

Një burim vendas thoshte se kjo shtëpi është bastisur rreth 10 herë nga policia për të njëjtën arsye, që prej vitit 2015.

Identiteti i të riut shqiptar i cili kujdesej për bimët ishte i njëjtë me atë të një të deportuari disa muaj më parë, që me sa duket është rikthyer në mënyrë ilegale në vend.

22 vjeçari F. Hoxha, ishte burgosur për tre vjet më 2019 për një fermë ilegale kanabisi në qytetin Derby, ku u gjetën droga me vlerë 140,000 funte, dhe rreth 200 bimë në gjashtë dhoma të ndryshme.

Por megjithëse u deportua, ai duket është rikthyer, kësaj here në Hartlepool si dhe me një tjetër ferme në Leeds, ku u gjetën gjurmët e tij të gishtërinjve.

Një fqinj i shtëpisë thoshte me ironi: “Ata duhet ta kuptojnë tashmë se të gjithë ata që marrin me qera këtë shtëpi janë fermerë kanabisi, nuk kam njohur njeri tjetër që të vijë këtu që kur përpiqesh t’i flasësh vetëm mbledhin supet e thonë ‘No English’”

Daily Mail shton se kombësia e Hoxhës tregon se operacionet e kanabisit drejtohen nga bandat shqiptare që përfitojnë nga njerëz të dobët e të rinj në vendin e tyre. Dhe se vetë bandat shqiptare në Angli po bëhen gjithnjë e më të dhunshme e më të fuqishme.

Dhe sipas kësaj gazete, shumica e rekrutëve të tyre duhet të hyjnë ilegalisht në Angli, prandaj bandat janë përgjegjëse për rreth 40 deri në 60 për qind të emigrantëve që kalojnë ngushticën ujore me Francën. Shifrat e fundit zbulojnë se rreth 700 shqiptarë kanë hyrë ilegalisht në Angli brenda një jave.

Njerëzit që sillen në Angli nga bandat janë të varfër e të shantazhuar, të cilët duhet të përfshihen në krime për të shlyer borxhet që i detyrohen trafikantëve për rrugën.

Agjencia kombëtare britanike kundër krimit NCA thotë se krimi i organizuar shqiptar ka zgjeruar territoret e drogës në vend, si me kokainën dhe me prodhimin e kanabisit, duke lënë prapa dhe vietnamezët që ishin rritësit më të mëdhenj.

Daily Mail madje shkruan se problemi i krimit të organizuar të shqiptarëve i ka rrënjët te lufta në Kosovë më 1998-1999, pasi sipas një zyrtari të NCA-së, ajo rezultoi në një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve që shkuan në Britani atë kohë.

Edhe pse shumica pretendonin se ishin nga Kosova, shumë ishin në fakt nga Shqipëria. Kriminelët në mesin e tyre hynë në kontakt me grupet serbe të krimit të cilat ishin në lidhje me kartelet amerikane të drogës dhe u futën në tregun e kokainës, shkroi media britanike.