Komandanti i KFOR-it, gjenerali Ferenc Kajari, është takuar të premten me kreun e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetarët e katër kominave veriore të Kosovës.
Në takim Kajari ka konfirmuar se KFOR-i është i përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për të parandaluar çdo eskalim. Ai po ashtu ka bërë të qartë se KFOR-i nuk është i angazhuar në aktivitete stërvitore me Policinë e Kosovës apo FSK-në. Ndërsa ka cekur se ka përcjellë me shqetësim barrikadat në veri të Kosovës më 31 korrik dhe ka rikujtuar rrezikun që situatat e tilla të tensionuara mund të kthehen në incidente të dhunshme.
Gjatë javës Kajari është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Kajari u ka bërë thirrje palët që të frenohen nga dhuna.
“KFOR-i mbetet i paanshëm dhe i përkushtuar për të ofruar kornizën e sigurisë në të cilën dialogu i ndihmuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës mund të vazhdojë. Gjenerali Kajari u ka bërë thirrje palëve të evitojnë veprimet e njëanshme e të përmbahen nga dhuna”, thuhet në komunikatë të KFOR-it.
— @NATO - KFOR (@NATO_KFOR) August 26, 2022