Kolumnisti i Grupit KOHA, Enver Robelli, ka thënë se duhet të rishikohet krejtësisht formati i dialogut Kosovë – Serbi dhe se në të ardhmen duhet të ketë tre ndërmjetësuesë, një nga BE-ja, nga shtetet që e kanë njohur Kosovën, një nga SHBA-ja dhe një nga shtetet jashtë BE-së.
Robelli në postim në Facebook ka thënë se s’mund të ketë marrëveshje me regjimin e Beogradit, përdersa krahas “nxënësit të Sheshelit dhe adhuruesit të Putinit, në tavolinë qëndrojnë edhe dy burokratë të BE-së që ia mbajnë anën Serbisë”.
“Duhet të rishikohet krejtësisht formati i negociatave. Në të ardhmen duhet të ketë tre ndërmjetësuesë – një nga BE-ja (nga një vend që e ka pranuar Kosovën), një amerikan dhe një nga shtetet jashtë BE-së (mund të jetë diplomat turk, zviceran apo britanik). Vetëm kështu krijohen rrethanat që udhëheqësit e Kosovës të mos rrethohen në Bruksel nga burokratë proserbë, që, në thelb, para interesave jetike të banorëve të Kosovës, kanë mirëkuptim për ithtarin e kriminelëve të luftës nga Beogradi”, ka shkruar Robelli.
Ai ka thënë se klasa politike në Kosovë duhet të jetë e vetëdijshme për situatën e krijuar dhe se duhet të lihen çështjet partiake anash.
“Klasa politike në Kosovë duhet të jetë e vetëdijshme mbi situatën e krijuar. Negociatat duhet të shikohen si çështje mbipartiake. Përndryshe çmimin e polarizimeve primitive të çarshisë së Prishtinës e paguajnë edhe gjeneratat e ardhshme. Atëherë nuk do të jetë fare e rëndësishme kush do të jetë në pushtet në Kosovë. Atëherë secili do t’i bartë pasojat e katastrofës 11-vjeçare të “negociatave” pa synim final. Për këtë duhet të jetë e vetëdijshme qeveria aktuale, por edhe opozita që nesër a pasnesër mund ta marrë pushtetin. Parakusht për përballje me Serbinë dhe asistentët e saj në Bruksel është konsensus nacional i politikanëve të Republikës së Kosovës. Ky konsensus nuk arrihet pa ekzistuar vetëdija shtetformuese, shtetmbrojtëse dhe kushtetutmbrojëse. Dy ditët e fundit të negociatave në Bruksel duhet të shërbejnë si leksion për të gjithë ata që e kanë fituar besimin e qytetarëve të Kosovës për t’i përfaqësuar interesat e tyre. E interes mbi interesa është sovraniteti i Kosovës!” – ka shkruar Robelli.