Arbëri

Rreth 200 fëmijë të imunizuar në tërë Kosovën për COVID-19, fluks rastesh me koronavirus

Qendra e vaksinimit per COVID-19 ne QKMF Prishtine

Vetëm 8 fëmijë janë imunizuar kundër Covid-19 në Qendrën e vaksinimit në Prishtinë, qëkur Ministria e Shëndetësisë miratoi vaksinimin e fëmijëve të moshave 5 deri në 11 vjeç.

Ndonëse vaksinimi në këtë qendër kryhet çdo ditë pune, interesimi i prindërve për t’i vaksinuar fëmijët e tyre është i ulët.

Edhe ata fëmijë që janë vaksinuar deri më tani shumica e tyre për arsye kanë pasur udhëtimin. Në këtë qendër thonë se interesim nuk ka as për grupmoshat 12 deri në 14 vjeç.

“Nga kur është aprovuar vendimi për vaksinimin e fëmijëve nga 5 deri në 11 vjeç, nga mesi i muajit, kemi vaksinuar 8 fëmijë me vaksinën Pfizer, dozë pediatrike. Mund të themi se është mjaft i ulët. Këta fëmijë që janë vaksinuar kanë pasur arsye udhëtimi jashtë shtetit dhe kanë fëmijë që kanë imunitet më të dobët. Edhe grupmoshat 12 deri në 14 vjet, interesimi është mjaft i ulët. Dozimi është 0.2 mililitra doza pediatrike”, tha Flora Rashani, përgjegjëse në qendrën e vaksinimit në QKMF Prishtinë.

Ndërsa, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani janë dhënë mbi 142 mijë doza për grupmoshën deri në 20 vjet.

MSH-ja gjithashtu ka thënë se te grupmoshat 5 deri në 11 vjeç janë rreth 200 fëmijë të vaksinuar, te të cilët deri më tani nuk është raportuar ndonjë efekt anësor.

“Në grupmoshën deri në 20 vjet deri tash janë administruar 142.617 doza të vaksinës kundër COVId-19. Ndërsa për grupmoshën 5-11 vjeç janë rreth 200 fëmijë të vaksinuar”, tha MSH-ja.

Mjekët pediatër tërheqin vërejtjen se kohët e fundit kanë pasur fluks më të madh të fëmijëve që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, derisa kërkojnë që edhe fëmijët e grupmoshave nga 5 deri në 11 vjeç të vaksinohen.

“Këtë muajin e fundit kemi pas një fluks më të madh të rasteve të fëmijëve që janë paraqitur me sëmundjen e Covid 19, kanë rezultuar me test pozitiv. Me simptoma si temperaturë të lartë, me ethe, kollitje, barkqitje e që është problematike me u diferencuar vetëm me test, pasi jemi në sezonën kur virozat manifestohen me një numër më të madh. Ne si mjekë gjithmonë krahas rekomandimeve që i bën OBSH-ja, si dhe rekomandimeve të MSH-së atëherë pajtohemi me urdhëresë se fëmijët mbi moshën 5 vjeçare duhet të vaksinohen . Fëmijët që janë të vaksinuar e kalojnë me simptoma më të lehta”, tha pediatrja-hematologia, Rifadije Maqastena.

Maqastena thotë se te fëmijët me Covid-19 kohëve të fundit kanë vërejtur edhe probleme hematologjike.

“Kemi shumë fëmijë që janë shoqëruar me probleme hematologjike sa që ne u fokusuam të hulumtojmë mos po na shoqërohet me ndonjë sëmundje hematologjike. Të gjitha infeksionet virale te disa fëmijë atakojnë palcën kockore, shkaktojnë ndryshime të hemogramit, shkaktojnë çrregullime por ku është veq viral pasi kalon ajo stabilizohet”, tha Maqastena.

Ministria e Shëndetësisë në korrik të këtij viti, pasi siguroi dozat pediatrike të vaksinave, ka miratuar vaksinimin e fëmijëve të grupmoshave 5 deri në 11 vjeç.

Ndërsa që nga nëntori i vitit të kaluar ka miratuar dhënien e vaksinës te grupmoshat 12 deri në 15 vjeç.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në dispozicion janë mbi 4 mijë doza.

Agjencia Evropiane e Barnave që nga nëntori i vitit të kaluar ka miratuar vaksinën “Pfizer”-“BioNTech” për grupmoshat 5-11 vjeç, derisa shumë shtete që nga atëherë kanë përshpejtuar vaksinimin e fëmijëve të kësaj grupmoshe.