Arbëri

Sogojeva: Sektori i gastronomisë në krizë, reduktimet e rrymës e kanë vështirësuar situatën

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka thënë se reduktimet e rrymës po i shkaktojnë telashe të mëdha hotelerisë dhe gastronomisë në përgjithësi.

Sogojeva në një intervistë për “60 Minuta” në KTV, ka thënë se po rrezikohet edhe mbijetesa e shumë subjekteve.

Në Kosovë kanë filluar të aplikohen reduktimet 6 orë me rrymë e dy pa të, ndërsa është thënë se do të vazhdohet me këtë ritëm deri në stabilizim të situatës.

Ai ka thënë se sektori i gastronomisë dhe hotelerisë kanë qenë më të goditurit nga pandemia dhe se janë ndihmuar shumë pak. Ndërsa krizat e radhës, si rritja e çmimeve dhe tash edhe reduktimet e rrymës, kanë bërë shumë që të mendojnë për shtrenjtim të çmimeve të shërbimeve.

“Humbjet janë të mëdha, vërtetë ky sektor është në krizë të thellë për momentin”, ka thënë Sogojeva. “Shtrenjtimet janë të përgjithshme, vet ky reduktim i rrymës, e duke e marrë parasysh faktin se nuk dihet nëse do të jetë në të ardhmen edhe 2 me 6 në disfavor të dritës, kur i merr parasysh gjithë këto, kanë bërë që pronarët e menaxherët e subjekteve hoteliere dhe turistike të mendojnë për shtrenjtim. Edhe kjo pjesë është me rrezik, pasi nëse shtrenjtohen çmimet atëherë nuk kemi klientelë. Kemi probleme të dyanshme. Mendoj se shteti duhet të mendojë më shumë, të gjejë alterantiva”.

Sogojeva ka thënë se rritja e çmimeve të produkteve në treg po e bën të pamundur që çmimet të mos lëvizen.

“Produkti është rritur, sot në treg është rritur qind për qind, nuk mund të mbulohen shërbimet. Por është problem, pasi nëse rriten çmimet atëherë humbet klientela. Tash kemi edhe këto reduktime të rrymës, ato duhet mbuluar me gjeneratorë, e ka humbje. Ndoshta gjithë puna ditore shkon te shpenzimet e naftës për gjeneratorë. Në qendër të Prishtinës, më saktësisht te ‘Kafet e Vogla’, shumë subjekte kanë filluar të mendojnë a me mbajt hapur biznesin apo me mbyll. Mos të flasim për komuna tjera, kjo strukturë e veprimtari është mjaft në rrezik”, ka thënë Sogojeva, që ka thënë se nëse vazhdohet me këtë krizë atëherë afro 30 për qind e subjekteve mund të ndalojnë së funksionuari, e kjo nënkupton edhe humbje të vendeve të punës.

Sogojeva ka thënë se manifestimet që janë organizuar së fundi në Kosovë, e po ashtu ardhja e diasporës ka ndihmuar në qarkullim, por thotë se nuk është njëjtë si vitin e kaluar.

“E shihni se shumica nga diaspora që po vinë në Kosovë, gjysmën e pushimit e kalojnë në bregdet në Shqipëri e Mal të Zi e gjysmën këtu. Kështu që nuk qëndrojnë këtu 3-4 javë si në të kaluarën. Të hyrat janë përgjysmuar tashmë. S’ka të ardhura siç kemi pasur më parë”, ka thënë Sogojeva.