Vonesat në furnizim sipas kontratës me kompaninë “Santefarm” dhe afati i skadimit të barnave sipas ligjeve të Kosovës e kanë lënë pa barin Etanercept një pjesë të pacientëve të Reumatologjisë
Në pamundësi për ta respektuar kontratën me SHSKUK-në për furnizim të rregullt, kompania ka tentuar që zgjidhjen ta bëjë duke e ofruar atë si donacion, njëjtë si kishte vepruar një javë më parë. Drejtuesi i saj, Milaim Abdullahu, ka drejtuar akuza ndaj MSH-së për moslejim të importit për herë të dytë.
“Etanercepti i cili prodhohet, ligjet e Kosovës, nuk e lejojnë me hyrë më pak se 12 muaj afat të skadencës nëse ka, meqenëse nuk e lejojnë më pak se 12 muaj, ne kemi gjetë me sjellë derisa të prodhohet me afat më të madh se 12 muaj, kemi gjetur rrugën kolaterale me furnizuar me donacione të cilat e kanë afatin më pak se 12. Dmth 11 muaj e kanë afatin dhe ato munden me u përdor deri 2 ditë para se me i skaduar afati”m tha Miliam Abdullahu nga kompania “Santefarm”.
Në MSH nuk kanë dhënë sqarime për herën e parë të donacionit. Kanë thënë se kjo terapi sigurohet nga QKUK-ja.
“Kjo terapi sigurohet nga QKUK, prandaj me qëllim të sigurimit të informacioneve burimore, ju lusim ta kontaktoni këtë qendër. MSH do ta mbështesë SHSKUK-në me çka është në përgjegjësi të saj që të përmirësojë furnizimin”, thuhet nga MSH-ja.
SHSKUK e ka konfirmuar se kompania ka vonesa në furnizim dhe që shmangia nga kontrata është bërë edhe herën e kaluar. Nuk ka treguar nëse ka aplikuar apo do të aplikojë penallti ndaj kompanisë që vonon liferimet me barna, ashtu siç e parasheh edhe ligji.
“Klinika është furnizuar me datë 10.08 në formë të donacionit nga Operatori Ekonomik i cili ka vonesë në liferime. Jemi në pritje të pjesës tjetër të donacionit për t'i plotësuar nevojat sipas njoftimit nga Operatori Ekonomik deri në furnizimin e rregullt”, thuhet nga Sektori Farmaceutik në SHSKUK.
Mungesa e këtij ilaçi ka detyruar pacientët që sot të protestojnë para MSH-së. Skender Ajvazi dhe Sadik Spahiu janë dy nga 46 pacientët nuk janë furnizuar me barin Etanercept.
Nga 110 pacientë me sëmundje të ndryshme reumatike, gjatë mëngjesit të sotëm medikamentin e kanë marrë vetëm 64.
“Problemin më të madh e kemi për këto ampula që janë biologjike që pa to nuk po mundemi me pas jetën e rehatshme. Po kemi dhimbje, probleme dhe këtu Ministria thotë jo i ka fajet furnizuesi, jo ai. Ne jemi në gjendje të rëndë. Dhe fajin kryesor e ka furnizuesi Santefarm. Neve sëmundja nuk na pret. Sëmundja neve na ka defermu, jemi të sëmuar, kemi dhimbje, kemi temperaturë. Dojna me gjet zgjidhje një herë e përgjithmonë”, tha pacienti Skënder Ajvazi.
“Këtë terapi biologjike ka katër vite që e marr, por kohën e fundit kemi pasur probleme. Sidomos kësaj vere për së tepërmi e kanë tepru,. Ishim edhe para dy jave në Msh, na premtuan që do të ketë furnizim më të rregullt, por sic po shihet deri më tash nuk ndodhi. Javën e kaluar e kemi marrë e këtë javë kanë qenë 60 doza për 60 pacientë kur na gjithsej jemi afër 113 pacientë. kjo për ne është shumë e palogjikshme edhe shumë e paarsyeshme”, tha pacienti Sadik Spahiu.
Për rëndësinë e këtij bari kanë folur edhe në Klinikën e Reumatologjisë
“Është bari i cili kërkon që të jipet në një kohë më të gjatë të paktën cdo pacient për të parë një përgjigje terapeutike na nevojitet që ta përcjellim 3-6 muaj. Efektet e para terapeutike shfaqen diku pas javës 6-8 por për të parë nëse do të arrihet një përmisim i dukshëm, cdo pacientë këtë terapi nevojitet që ta marr të paktën 6 muaj, e të mos flasim që pacienët tonë me etanercept janë me vite. Ata përnjëherë kufizohen, nuk mund të kryejnë aktivitete normale, nuk mund të lëvizin dmth vinë në një gjendje të rëndë”, tha reumatologia Jehona Ismaili-Kadriaj.
Mungesa kohë pas kohe e këtij bari dhe vonesa për furnizim është raportuar edhe vitin e kaluar dhe në muajt e kaluar.