Banorët e fshatit Llukar të Prishtinës thonë se për ta janë të papranueshme reduktimet e energjisë elektrike në këtë kohë.
Thonë se janë të shqetësuar edhe për paralajmërimet e rritjes së çmimit e nuk e dinë se si do t’ia dalin këtë dimër.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ta shohim se si do të na dalë ky dimër se çfarë reduktimesh do të ketë. Mund të jenë edhe më të ashpra. E dinë edhe ata që janë përgjegjës, por mirë do të ishte të bënin zgjidhje ashtu si është e nevojshme, sepse ne edhe ashtu po heqim për çdo gjë. Shtrenjtime të mëdha tash edhe nëse i kemi paguar 50 euro faturën, tash mund të jetë 70 deri në 100 euro”, tha Burim Krasniqi, banor i Llukarit.
“Reduktimet janë të pranishme dhe nuk janë, mirëpo situata e përgjithshme në Evropë siç dihet është shumë e keqe. Dimri si çdoherë është i ftohtë, me borë dhe dimri do të jetë i vështirë, por mund të jetë më i vështirë sesa i vitit të kaluar, sepse edhe lufta në Ukrainë po shkon duke u zbehur”, tha Ilmi Krasniqi, banor tjetër i fshatit.
Reduktimet u kanë shkaktuar telashe edhe bizneseve.
“Për momentin po kemi nga dy herë në ditë nga dy orë reduktime. Na e pengon shumë biznesin tonë dhe e presim një dimër shumë të vështirë nëse vazhdon kështu se të gjitha pajisjet i kemi me rrymë. Besoj se do të na bëjë shumë probleme gjatë dimrit nëse vazhdojnë kështu”, tha Çlirim Krasniqi.
Takime për reduktimet “gjashtë me dy” e adresimin e krizës energjetike janë mbajtur të mërkuren në mbrëmje në Ministrinë e Ekonomisë, ku u themelua Komisioni Teknik Emergjent.
Në njoftimet e dy mbledhjeve thuhet si i janë dhënë disa rekomandime për Korporatën Energjetike të Kosovës, ndër të tjera që të sigurojë energjinë e nevojshme për të evituar reduktimet për konsumatorët dhe devijimet në rrjetin energjetik.
“Në mbledhjen e parë të Komitetit Teknik Emergjent rekomandoi që me qëllim të mbulimit të konsumit për këtë situatë të krijuar, KEK-u t’i ofrojë Operatorit të Sistemit të Distribucionit(KEDS) energjinë e siguruar sipas kushteve të parapara në MFSH”, ishte thënë nga ME-ja pas mbledhjes së parë të Komitetit Teknik Emergjent të Ministrisë së Ekonomisë.
E pas mbledhjes së dytë ishte thënë: “Me qëllim të tejkalimit të situatës me furnizim të energjisë elektrike që do të zgjasë deri më 25 gusht 2022, Komiteti Teknik Emergjent rekomandoi që KEK-u të sigurojë energjinë e nevojshme për të evituar reduktimet për konsumatorët dhe devijimet në rrjetin energjetik”
Ky dikaster u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë energjinë, duke ua kujtuar në të njëjtën kohë se blloku B2 i KEK-ut, që pritet të hyjë përsëri në prodhim më 25 gusht, pritet që ta stabilizojë këtë gjendje.
Derisa në KEK, KEDS e ZRrE nuk kanë dhënë sqarime shtesë lidhur me takimin dhe rekomandimet që i kanë dhënë në mbledhjet e komitetit të posaformuar.
Zyra e Rregullatorit nuk ka treguar se kur saktësisht pritet të vendoset për tarifat e reja, por ka thënë se do t’i përmbahet afatit që përfundon javën e ardhshme.
“Sa i përket shqyrtimit të tarifave, ju informojmë se në përputhje me Rregullën për përcaktimin e të hyrave të lejuara për FSHU-në, brenda 20 ditëve të punës pas pranimit të raportit të ndikimit financiar, Rregullatori do të njoftojë FSHU-në nëse Rregullatori e pranon apo jo propozimin e FSHU-së për përshtatjen e jashtëzakonshme. Aktualisht, Rregullatori është në proces të shqyrtimit të aplikimit të FSHU-së dhe brenda afateve të përshkruara më lart do të njoftojë publikun dhe FSHU-në për veprimet që do të ndërmerren nga Rregullatori”, thuhet nga ZRRE.
KEDS-i i ka përsëritur kërkesat që të përmbushet zotimi qeveritar për t’ia transferuar 90 milionë euro KESCO-s për mosshtrenjtim të tarifave, gjë që, sipas tyre, do ta mundësonte edhe furnizimin me energji.