Arbëri

Pas paralajmërimeve për grevë nga SBASHK-u, Nagavci takohet me Këshillin e Prindërve

Descriptive Text

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është takuar të enjten me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Jeton Demi. Në këtë takim është diskutuar për përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2022 dhe për të drejtën e nxënësve për të vijuar mësimet pa asnjë pengesë, ka njoftuar Ministria në Facebook.

Sipas njoftimit, Nagavci ka thënë se dikasteri të cilin e drejton është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë akterët.

“Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, Ministria e Arsimit është e përkushtuar që të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë akterët, përfshirë edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës, marrë parasysh rëndësinë që ka roli i prindërve në të gjitha proceset në arsim. Ministrja Nagavci dhe kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi u pajtuan që çdo kërkesë e arsyeshme dhe e argumentuar të shtyhet përpara, në mënyrë që ky Këshill të jetë sa më efektiv në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive që ka”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ky takim i Nagavcit me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve është zhvilluar po të njëjtën ditë kur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpallur grevë të përgjithshme të të punësuarve për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se megjithë vendimin, dyert i kanë të hapura që të ftohet këshilli grevist dhe të arrihet marrëveshja.

Sipas tij, pika kyçe për t’u bërë marrëveshja me qeverinë Kurti është të fillohet me 100 euro mbështetje deri në miratimin e Ligjit për Pagat.