Arbëri

Pas reduktimeve e paralajmërimeve për shtrenjtim, rritet çmimi i drurëve dhe peletit

Kthimi i reduktimeve në mes të verës dhe frika për rritjen e çmimeve të rrymës i ka shtyrë shumë qytetarë që të kërkojnë zgjidhje alternative për dimër.

Shumë prej tyre kanë vendosur që të blejnë drurë e pelet për ta shmangur përdorimin e rrymës për ngrohje.

Por, kthimi i zhurmës së gjeneratorëve ka ndikuar që tregtarët të shfrytëzojnë rastin e t’i shtrenjtojnë çmimet për këto produkte.

Qytetarët të cilët nuk kanë pranuar që të flasin para kamerës, thonë se një metër kub dru po kushton deri në 90 euro. Ky çmim është dyfish më i lartë se sa vitin e kaluar

Ata thonë se javën e kaluar një metër kub dru ka kushtuar rreth 45 euro. Rritje të çmimit ka pësuar edhe peleti. Nga 180 euro sa ishte një ton pelet vitin e kaluar, tani çmimi ka arritur në 410 euro.

Brenda këtij muaji Termokosi pritet të dorëzojë aplikimin për shtrenjtim të tarifave për ngrohje.

Aktualisht çmimi për ngrohje është 76 centë për metër katror të sipërfaqes për konsumatorët shtëpiake, ndërsa 95 centë për konsumatorët komercialë.

Sipas të dhënave të INDEP-it, rreth 75 për qind e konsumit të rrymës gjatë sezonit të dimrit shpenzohet për ngrohje.

Reduktimet e rrymës kanë penguar edhe mbarëvajtjen e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

“Seminari po shkon shumë mirë, nuk kemi probleme, përveç problemit teknik sikur tani që kemi problemin me furnizimin e energjisë elektrike, i cili mund të ndikojë eventualisht në shtyrjen e ligjëratave apo të aktiviteteve të tjera për ndonjë orë tjetër”, ka thënë drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi.

Se mungesa e energjisë elektrike po u shkakton telashe në mbarëvajtjen e ligjëratave e thotë edhe seminaristja, Sara Elshani.

“Kam ardhur në këtë seminar me qëllim ta mësojë më mirë gjuhën shqipe... Po tash në ora 11:00 kemi pas një ligjëratë, mirëpo është shtyrë për në ora 12:00 sepse s’ka rrymë”, u shpreh Sara Elshani, seminariste.

KEDS-i ka bërë të ditur se reduktimet janë bërë me kërkesë të KOSTT-it. E kjo e fundit ka thënë se reduktimet janë shkaku i ngarkesës në rrjet dhe mossigurimin e energjisë nga palët përgjegjëse.

“Varet nga ngarkesa (konsumi) dhe nga energjia e siguruar nga palët përgjegjëse për të mbuluar konsumin e energjisë elektrike në vend. Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës e cila ndër të tjera, është reflektim i krizës globale energjetike, do të përballohet më me lehtësi me mbështetjen edhe të të gjithë qytetarëve, duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale dhe duke kursyer aty ku është e mundur”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.
Edhe pse Ministria e Ekonomisë kishte deklaruar se është zgjidhur problemi me furnizim me energji dhe KEK-u po vazhdon të tërheqë nga 100 megavat për orë nga Shqipëria, KEDS-i ka aplikuar orarin e reduktimeve.

KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Ekonomisë rreth kësaj situate, por ka munguar përgjigjja.