Arbëri

Abdixhiku s’pranoi ta takojë presidentin e Shqipërisë në Kuvend

Descriptive Text

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka pranuar ta takojë presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës dhe për pasojë nuk ka pasur fare takim mes tyre.

Nga LDK-ja e kanë konfirmuar këtë si arsye për mos mbajtje të takimit. Sibel Halimi, zyrtare e lartë e LDK-së, tha për KOHËN se në të shkuarën të gjithë zyrtarët e lartë të Shqipërisë kanë pranuar të shkojnë në selinë e LDK-së, derisa të njëjtën gjë nuk ka pranuar ta bëjë Begaj.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj, me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Për dallim nga krerët institucional paraprak të Shqipërisë, presidentët e shkuar, kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, presidenti Begaj, ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj. Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë, ka thënë Sibel Halimi, zëdhënëse politike e LDK-së.

Ndërkohë, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, e ka quajtur këtë skandal politik e diplomatik.

Në një postim në Facebook të martën, Hyseni ka shkruar se Abdixhiku e ka refuzuar ftesën e presidentit Begaj për t’u takuar në selinë e Kuvendit.

“Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar takime me krerët e partive politike, thuhet në njoftimet e medias. Ndërkohë që thuhet po ashtu se “Kreu i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, paska refuzuar takimin me presidentin Bajram Begaj, duke mos respektuar ftesën e presidentit për t’u takuar në selinë e Kuvendit”. Pretendimi idhnak i Abdixhikut se Presidenti shqiptar duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të të parit të LDK-së. Pa dashur të futem në detajet e protokolit, me duhet të konstatoj se Abdixhiku me krekosjen e tij, paska shkaktuar një skandal politik e diplomatik tërsisht të panevojshëm në komunikimet aq të rëndësishme ndërshqiptare. Kuvendi i Republikës së Kosovës është seli, e përtej selie e çdo partie politike parlamentare në Kosovë”, ka shkruar Hyseni.

Ai ka shtruar pyetjen se përse Abdixhiku nuk veproi njëjtë me vizitën e presidentit të Malit të Zi në maj të këtij viti.

“Shtrohet pyetja, përse z. Abdixhiku nuk u bë po aq ‘i madh’, me rastin e vizitës së Presidentit të Malit të Zi të cilin, më 19 maj 2022, shkoi ta takonte, madje jo në Kuvend të Kosovës, por në hotel???!!!”, ka shkruar Hyseni.

Presidenti Begaj gjatë ditës së martë është takuar në ndërtesën e Kuvendit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe me deputetin Ergjan Galushi nga radhët e komuniteteve.

Një ditë më parë ai është pritur me nderime shtetërore nga presidentja, Vjosa Osmani, pastaj nga kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.