Arbëri

Latifi në Austri do të flasë për arrestin kardiak traumatik, në MSH thonë që do të flasë për politikëbërje

Një konferencë të kirurgëve në Austri, Ministria e Shëndetësisë e ka paraqitur si vizitë zyrtare të ministrit Latifi.

Sipas tyre, ministri do të flasë për sistemin shëndetësor të Kosovës dhe punën e tij si ministër.

“Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Rifat Latifi, ka udhëtuar për në Austri. Ai do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Kirurgji, ku do të marrin pjesë shumë personalitete nga fusha e kirurgjisë dhe ku do të trajtohen të rejat e fundit në këtë lëmë shkencor. Në këtë konferencë, Ministri Latifi do të flasë dhe do të bëjë një prezantim për sistemin shëndetësor të Kosovës si dhe angazhimet e tij si ministër i Shëndetësisë për transformimin dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor si dhe tema të tjera”, thuhet në njoftim të MSH-së.

Por krejt ndryshe thuhet në faqen e Konferencës Ndërkombëtare në Kirurgji.

Aty theksohet se konferenca do të zgjasë nga 15 deri 18 gusht. Në faqe është i publikuar programi i konferencës, e Latifi do të flasë për disa tema, por asnjëra për aq sa shkruhet në program nuk ka të bëjë me politikëbërje.

Emri i tij është pjesë edhe në disa punime që do të prezantohen, e të cilat po ashtu nuk e kanë në fokus politikëbërjen.

Latifi është pjesë edhe e diskutimit me temën “Sistemet e Traumës, Avokimi dhe Diversiteti”. Askund në program nuk përmendet që Latifi është ministër në Kosovë.

Përderisa në komunikatë kishin thënë që Latifi do të flasë për punën e tij në shëndetësi si ministër, në përgjigje kanë deklaruar që ai do të flasë specifikisht për traumën dhe emergjencën në Kosovë.

“Ai do të flasë gjatë ligjëratës së tij edhe për shëndetësinë në Kosovë. Sidomos për temat që kanë të bëjnë me emergjencën dhe traumën, sepse në programin e tij për shëndetësinë (qendrat dhe programet e avancuara) janë së paku tetë qendra që kanë të bëjnë me kirurgjinë, ndërsa gjatë konferencës, do të takohet edhe me personalitete pjesëmarrëse nga fushat e shëndetësisë/mjekësisë dhe për këto do të njoftohet publiku sikurse në çdo vizitë të realizuar deri tani apo pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme”, thuhet nga Zyra e Komunikimit e MSH-së.

Ky institucion nuk ka treguar qartë se kush do të paguajë për këtë udhëtim. Janë mburrur për atë që Latifi mbulon një pjesë të madhe të shpenzimeve gjatë udhëtimit.

Shëndetësia është një nga sektorët më të kritikuar gjatë Qeverisë Kurti 2. Pjesë e kritikave janë edhe udhëtimet e shpeshta të Latifit.