Arbëri

Dyshime për shkelje ligjore dhe kurdisje të konkursit për diplomatë

Përmes dy konkurseve ndaj të cilave janë ngritur pretendime për shkelje ligjore, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës synon rekrutimin e 32 zyrtarëve të rinj. Por në dokumentet që ka siguruar “KOHA”, janë ngritur dyshime për kurdisje të konkursit, pasi ditën kur është shpallur ai, zyrtarja e personelit nga Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore është transferuar në një pozitë tjetër. E Shoqata Sindikale brenda MPJD-së ka kërkuar ndërhyrjen e instancave të tjera për ndaljen, sipas saj, të paligjshmërive

Pretendime të shumta për shkelje ligjore dhe kurdisje të konkursit për pranimin e 32 diplomatëve janë ngritur brenda Ministrisë së Punëve të jashtme dhe Diasporës.

Ky dikaster është në proces të përzgjedhjes së kandidatëve në thirrjen e cila është mbyllur në fillim të gushtit.

Sipas konkursit, dhjetë zyrtarë të misioneve diplomatike kërkohen me njohuri të avancuara të gjuhës angleze; shtatë të gjuhës frënge; shtatë të gjuhës gjermane; nga dy me njohuri të avancuara të gjuhës italiane, spanjolle e arabe; si dhe nga një zyrtar me njohuri të avancuara të gjuhës greke dhe portugeze.

Te përshkrimi që u bëhet kritereve, aplikantëve u kërkohet vetëm një kualifikim adekuat profesional dhe njohja e gjuhëve të huaja.

Kandidatët e përzgjedhur do të sistemohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në njërën nga njësitë organizative të MPJD-së, deri në plotësimin e kushteve formale për dërgimin e tyre në misione diplomatike.

Por Shoqata Sindikale brenda MPJD-së përmes shkresave drejtuar menaxhmentnit dhe instancave të tjera jashtë Ministrisë, ka kërkuar anulimin e konkursit. Kërkesa i është adresuar Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, që është përgjegjëse për miratimin e konkurseve si dhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

“Njësia e Burimeve Njerëzore brenda MPJD-së, gjatë procesit të shpalljes së konkursit të lartë theksuar për 32 pozita për zyrtarë në misione diplomatike, gabimisht ka konsumuar dispozitën e Ligjit Nr.03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm, gjegjësisht nenin 19 dhe 20 të tij, me faktin se këto dispozita flasin për kriteret për pranim në shërbimin e jashtëm dhe ligjet e tjera, e jo për përgjegjësitë e MPJD- së për të shpallur pozitat e lira për zyrtar në misione diplomatike”, thuhet në shkresën e Shoqatës.

Në dokumentet që ka siguruar “KOHA” ngrihen edhe dyshime për kurdisje, pasi ditën kur është shpallur konkursi, një zyrtareje të personelit i është ndërruar pozita pa paralajmërim.

Afërdita Krasniqi-Mustafa përmes e-mailit është njoftuar për transferim nga Zyra e Personelit në Departamentin për Çështje Konsullore.

Përmes një shkrese dërguar ministres dhe sekretarit, Krasniqi ka kërkuar sqarime për lëvizjen e paparalajmëruar.

“Ky transfer është tendencioz, i padrejtë nga ana e menaxhmentit, me vetë faktin se brenda Njësisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, kemi zyrtarë që dy muaj janë sistemuar nga stafi i diasporës, por ashtu edhe zyrtarë të tjerë të cilët nuk e kanë as gjysmën e përvojës time në këtë divizion”, shkruan në emailin e Krasniqit.

E Shoqata së cilës i takon Krasniqi, largimin e saj e ka ndërlidhur me konkursin përmes të cilit planifikohet rekrutimi i 32 zyrtarëve të rinj.

“Transferi i znj. Krasniqi Mustafa është tendencioz, diskriminues dhe hakmarrës si sekretare e sindikatës, ku në të njëjtën ditë që bëhet publikimi i konkursit për 32 pozita, zyrtarë të misionit diplomatik, i dërgohet vendimi edhe znj. Mustafa, me arsyetimin në interes të institucionit. Sindikata këtë transfer e konsideron jo në interes të institucionit, por më shumë interes të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, për vetë faktin se nuk transferohen zyrtarët me përvojë shumë më të vogël, por znj. Krasniqi, me një përvojë 13-vjeçare, dy prej tyre menaxheriale e cila ndëshkohet nga menaxhmenti i lartë për hakmarrje si sekretare e sindikatës”, shkruan në dokument.

Krasniqi-Mustafa vitin e kaluar ka qenë udhëheqëse e njësisë për menaxhimin e burimeve njerëzore, por ishte zëvendësuar nga Vigan Berisha, që sipas Shoqatës, ka qenë i jashtëligjshëm, pasi ishte bërë pa aprovim të bazës ligjore për sistemimin e stafit të ish-Ministrisë së Diasporës.

“Pozicionimi i z. Berisha paska qenë me paramendim për të gjitha parregullsitë që po e përshkojnë MPJD-në, duke filluar që në emër të ristrukturimit kanë mbetur zyrtar/e ende të pasistemuar, edhe pse me përvojë të gjatë institucionale dhe përvojë në shërbimin e jashtëm, duke u zëvendësuar me zyrtarë që kanë mungesë të theksuar të përvojës në fushën e diplomacisë”, thuhet në shkresën e Shoqatës. Aty përmendet edhe fushata e egër ndaj zyrtarëve kritikues, veçmas atyre të sindikatës.

Për arsye të njëjta dhe shkeljeve të pretenduara, është kërkuar edhe anulimi i një konkursi të brendshëm që ishte shpallur më 20 korrik për 16 pozita të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues.

Ministria e Punëve të Jashtme për më shumë se një javë nuk ka ofruar sqarime lidhur me pretendimet e ngritura. As Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nuk ka treguar nëse konkursi ka pasur miratimin nga ana e saj.

Në mars të këtij viti, nga MPJD u përjashtuan 11 zyrtarë që ishin pranuar nëpërmjet një konkursi të vitit 2012. Ata janë duke vazhduar betejën ligjore në instancat e tjera, pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e shpalli veten jokompetent për të vendosur rreth rastit, me arsyen se mungojnë akt emërimet. Por diplomatët e larguar pretendojnë se dosjet e tyre është dashur që ministria t’i vërë në dispozicion të organeve ankimore.

Me parregullsi e shkelje ligjore janë përcjellë edhe konkurset e hapura nga qeveritë e kaluara. Kësisoj, në vitin 2020, kur ministria udhëhiqej nga Meliza Haradinaj, pati anuluar konkursin për 15 nëpunës në misione konsullore. Konkursi ishte anuluar pas raportimit të “KOHËS” se MPJ-së ia kishin mësyrë edhe familjarë e partiakë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ministria e pati arsyetuar anulimin me ankesat e shumta të pranuara në MPJD nga aplikantët.