Arbëri

Llugaliu: Inflacioni ka ndikuar në rritjen e të hyrave në Doganë

Descriptive Text

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka thënë se inflacioni ka ndikuar në rritjen e të hyrave për 14 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Llugaliut, Dogana sivjet ka shënuar të hyra 110 milionë euro më shumë sesa të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Kemi bërë progres solid në krahasim me vitin e kaluar, jo vetëm në të hyrat, por edhe te luftimi i ekonomisë joformale. Këto janë objektiva me rëndësi të barabartë. Afër 14% të hyrat janë rritur, në krahasim me periudhën e vitin të kaluar. 883 milionë euro apo 110 milionë më shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Pjesa e inflacionit që importohet ka ndikuar”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Por Llugaliu meritat për rritje të të hyrave, përveç inflacionit, ia ka atribuuar edhe qasjes më të mirë të menaxhimit të Doganës dhe gatishmërisë së Qeverisë.

“Kemi pasur rezultate të theksuara nga mallrat që janë konfiskuar, mbi 5 milionë euro. Vitin e kaluar ka qenë 2 milionë. Jam mirënjohës stafit të Doganës. Nuk e bëj vetëm këtë rezultat. Është një qasje më e mirë e menaxhimit të Doganës. Kemi përmirësim të kapaciteteve. Qasja e Qeverisë ka qenë ndryshe. Në bashkëpunim me Policinë, AKI-në, ka pas shtrirje më të fuqishme, përfshirë edhe në vendet ku janë konsideruar me rrezik të lartë për shmangie të taksave”, ka shtuar ai.

Tutje, drejtori i Doganës është shprehur se prej që ka marrë drejtimin e këtij institucioni është parë më shumë gatishmëri për ta luftuar kontrabandës në të gjithë territorin e Kosovës.

Por si një sfidë për Doganën, Llugaliu thotë se është problemi i stafit.

“Mosha mesatare e stafit e ka kaluar 46 vjet. Në këtë moshë është pak problematike, sepse fillon me ra produktiviteti dhe efikasiteti. Ne synojmë që t’i përmbushim 40 vende të lira, që na lejon korniza. Pastaj, synojmë të punësojmë 100 për tre vjet”, ka thënë ai.

Llugaliu e mori detyrën e drejtorit në Doganë në maj të vitit të kaluar.