Arbëri

Bartja e shamisë polarizoi shoqërinë, Kurti: Të lejohet për 16-vjeçaret

Descriptive Text

Mbi 18 mijë nënshkrime janë mbledhur në peticionin për ndryshimin e udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit, e i cili e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla të mesme e të larta. Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se bartja e çfarëdo elementi fetar duhet të lejohet për të gjithë qytetarët mbi moshën 16-vjeçare

Kryeministri Albin Kurti është pozicionuar të premten lidhur me debatin e ngritur rreth lejimit apo jo të bartjes së shamive në shkolla.

Kurti ka thënë se elementet fetare nuk duhet të jenë pengesë në jetën e qytetarëve, porse ka shprehur qëndrimin se për përdorimin e tyre duhet të ketë një prag.

“Qëndrimin tim e kam thënë para shumë vjetëve e qëndrimi është se nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu dhe moshën 16-vjeçare ne e shohim si prag për shumë gjëra që kanë ndodhur. Por edhe të cilët do të duhej të ndodhin”, ka thënë ai të premten.

Lidhur me këtë qëndrim të shefit të Qeverisë, drejtori i Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillim të Politikave, Lulzim Peci, ka theksuar se e ngërthen prapa vetes një qëllim të caktuar.

“Është agjendë elektorale, ka të bëjë me vota dhe me asgjë tjetër. Unë mendoj se për këtë çështje ka dallime të mëdha mes simpatizuesve dhe anëtarësisë së Vetëvendosjes edhe qasja krejt dhe drejt kur vijmë te kjo çështja e shamisë nuk besoj që do t`i funksionojë Vetëvendosjes, sepse ka dallime, sepse kjo kalon përtej një agjende të një partie politike, është një agjendë shumë më e gjerë, problem shumë më madhor sesa thjesht një premtim elektoral”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se vendimi për lejimin apo jo të shamisë në shkolla nuk duhet të jetë vetëm çështje e Qeverisë, por e një debati më të gjerë shoqëror e politik.

Profesori Alban Zenelit ka vlerësuar ndërkaq se diskursi i përdorur gjatë debatit për temën ka ndikuar në krijimin e ndasive në shoqëri.

“Kjo nuk ka shërbyer që njerëzit të argumentojnë dhe të marrin vendime e të ndryshojnë qëndrimet për çështjen, por ka shërbyer më shumë në polarizim shoqëror, i cili në këtë rast i ka nda dy grupet që kanë qenë pro dhe kundër kësaj iniciative”, ka thënë profesori universitar.

Peticioni për ndryshimin e udhëzimit administrativ për kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta është nënshkruar nga më shumë se 18 mijë persona.

Sipas këtij udhëzimi, bartja e uniformës fetare është në mesin e veprimeve të ndaluara për nxënësit.