Arbëri

Kurti: S’duhet të ketë ndalim të shamisë në Kosovë, pragu mosha 16-vjeçare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Kosovë nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve.

Megjithatë, Kurti ka thënë se pragu i lejimit të shamisë duhet të jetë mosha 16-vjeçare.

“Qëndrimi im është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve por duhet të jemi të lirë, mirëpo gjithashtu kam thënë që mosha 16- vjeçare duhet të jetë pragu, dhe moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra të cilat kanë ndodhur dhe që do të duhej të ndodhin”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media pas një vizite në Doganën e Kosovës.

Ai e ka krahasuar këtë me marrjen e kartës së identitetit në moshën 16-vjeçare.

“Meqë mund ta marrësh kartën e identitetit në moshën 16-vjecare, nëse sistemi e mundëson që të lidhësh kurorë në moshën 16-vjecare, meqë mosha mesatare është 35 vjeç e 2/3 e popullatës është nën 35 vjeç, mendoj që në të ardhmen nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjeç. Ne e shohim moshën 16-vjecare si moshë të pragut për shumë gjëra e po ashtu edhe për bartjen e shamisë", ka përfunduar Kurti deklaratën e tij lidhur me këtë çështje.


Kurti për deklaratat e Vuçiqit për vrasje: Po flet për imagjinatën dhe planet e tij

Kryeministri i Kosovws, Albin Kurti, duke folur për deklaratat e çuditshme të presidentit serb. Aleksandër Vuçiq se institucionet e Kosovës “po përgatisin likuidimin e popullit në veri”, tha se Beogradi kur flet për dhunë e vrasje flet për vete dhe jo për Kosovën. Sipas tij, në emër të Kosovës flasin vetëm institucionet e Kosovës.

Ai e përsëriti se është kryeministër i shpresës dhe progresit ndërsa Serbia ka një president të frikës dhe kërcënimit.

“Kur ata flasin për dhunë, kur ata flasin për vrasje, flasin për vete, flasin për imagjinatën, mendimet dhe planet e tyre, nuk flasin për Republikën tonë. Për Republikën tonë, flet Qeveria e Republikës së Kosovës, flasin institucionet e shtetit tonë. Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore dhe do të ishte dita e parë e punës, javës e muajit të tetë të vitit, mirëpo më 31 korrik, u ngritën ato barrikada prej njerëzve të cilët kishin nxitur, planifikuar, përgatitur e financuar strukturat ilegale që u bënë banda kriminale nëpër rrugët në veri të Kosovës. Pra, kur ata flasin nuk janë duke folur për neve por janë duke folur për vete. Ne jemi për paqe, për siguri, për stabilitet afatgjatë dhe na duhet që me shtetin tonë, jo vetëm ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial, por edhe demokracinë, kushtetutshmërinë, sundimin e ligjit, dhe kurrë nuk bën ta harrojmë, progresin”, deklaroi Kurti.