Mesditën e së enjtes në afërsi të QKUK-së ka ndodhur një aksident si pasojë e trotineteve elektrikë.
Por 30 aksidente të tilla të shkaktuar nga trotinetet, sipas Policisë së Kosovës, kanë ndodhur nga janari e deri në korrik të këtij viti.
Lëvizjet e shpeshta me trotinete elektrikë e vozitja e tyre nga moshat e reja në rrugët e Prishtinës kanë krijuar pasiguri te qytetarët.
“Zakonisht në shesh kur jemi tash, pengojnë, jashtëzakonisht shumë, jo vetëm trotinetet elektrikë, por edhe biçikletat, disa motorë elektrikë që janë, këta i pengojnë qytetarët. Pastaj, janë fëmijët që dalin këtu, me luajtë diçka, nuk ke siguri as me i lënë me ec, se vijnë me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe”, thotë Gëzim Berisha, qytetar.
“Shumë jashtëzakonisht shumë, sheshi është për fëmijë pleq, për familjarë, nuk është për trotinete për motorë. Një trotinet, një ditë, duke ecur më rroku m’u gju në krah, u rrëzua personi, por çka me i bë iku, po nuk është në rregull kjo, me pas trotinet në shesh apo në trotuar ku ka këmbësorë”, thotë qytetari Ilir Bunjaku.
“Njerëzit e përdorin edhe për nevoja të veçanta, tash gjendje e rëndë ekonomike edhe mendoj që e duan udhëtimin më ekonomik shkurt, mirëpo mendoj që nuk është në rregull, unë personalisht edhe shokun kanë dashtë me na goditë, përveç asaj me bartjen e fëmijëve është rrezik i madh për jetën”, thotë qytetarja Xhejlane Hoti.
Në QKUK kanë thënë se ka pasur lëndime të shpeshta nga trotinetet elektrikë, por kanë thënë se nuk kanë ende statistika për këto raste.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, thotë se kjo çështje mund të zgjidhet lehtë, me ndryshimin e ligjit, përcaktimin e kaheve të lëvizjeve dhe hapësirës rrugore.
“Duhet me shfrytëzu shiritin e qarkullimit sa më afër skajit të djathtë të rrugës i kombinuar dhe i dedikuar enkas vetëm për mjete me një gjurmë nuk kanë të drejtë të shfrytëzojnë shtegun e biçiklistëve, për shkak se zhvillojnë një shpejtësi më të madhe, nuk kanë të drejtë me lëviz edhe nëpër trotuar, për shkak se rrezikojnë edhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, sikur janë këmbësorët ose mjetet me një gjurmë që s’janë biçikleta", thotë Dedaj.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, ka thënë se janë duke punuar në një rregullore, e cila e parasheh pjesën e përdorimit të këtyre mjeteve, e cila për 30 ditë pritet të votohet në Kuvendin Komunal.
“Ekspertë edhe në kuadër të shërbimeve publike më konkretisht në kuadër të sektorit të mobilitetit, por edhe disa ekspertë të tjerë të brendshëm dhe të jashtëm janë duke dhënë kontributin e tyre maksimal, me qëllim që me dal me një rregullore që do t’i përshtatej sa më mirë edhe më shumë mobilitetit në kryeqytet”, tha Musliu.
Për këtë problematikë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Policinë e Kosovës janë në përfundim të hartimit të Ligjit të ri për rregullat e trafikut rrugor, i cili në shtator do të dalë në diskutim publik.
“Ligji 05/L-088 për rregullat e trafikut rrugor nuk e adreson fare çështjen e përdorimit të këtyre mjeteve. Me ligjin e ri do të rregullohet mënyra e shfrytëzimit të trotineteve dhe mjeteve të tjera të ngjashme, do të përcaktohet mosha (nuk do të lejohet përdorimi i tyre për personat nën moshën 16 vjeç), do të kufizohet shpejtësia maksimale e lejuar, përcaktohen edhe gjobat dhe çështje të tjera të rëndësishme. Do të ndalohet ngasja e tyre në hapësirat publike të dedikuara për këmbësorë, siç janë sheshet, trotuaret, parqet etj”, ka thënë Pacolli.
Derisa institucionet nuk gjejnë një zgjidhje, qytetarët do të vazhdojnë të përballen me këtë problematikë.
