Arbëri

Kurti e Latifi me plan të ndryshëm me njëri-tjetrin për shëndetësi

Takimi i së martës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, e Bordin e SHSKUK-së dha sinjale të qarta për mungesë të një plani konsistent për shëndetësi.

Pas takimit, Qeveria e Kosovës lëshoi komunikatë, ku foli për gjashtë çështjet më të rëndësishme që u diskutuan në këtë takim. Në mesin e tyre ishin edhe ndarja mes sektorit publik e privat në shëndetësi e sigurimet shëndetësore.

Në një takim të gjatë u shqyrtuan këto gjashtë tema kapitale:

1) Ndarja dhe bashkëpunimi publiko-privat në sektorin e shëndetësisë.

2) Sistemi Informativ Shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore.

3) Reforma e sistemit shëndetësor, në veçanti e SHSKUK-së, për fuqizimin e QKUK-së, të spitaleve rajonale dhe kujdesit parësor shëndetësor.

4) Raporti i sektorit publik të shëndetësisë, si shërbim e kujdes profesional me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit, si vatër e kërkimit, hulumtimit dhe studimit shkencor.

5) Nevoja për Spitalin rajonal të Prishtinës.

6) Raporti i MSH-së dhe SHSKUK-së me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve”, u tha nga Qeveria e Kosovës.

Saktësisht një javë më herët, me datë 2 gusht ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, dha një intervistë për “albinfo.at”.

Aty tha që i ka 7 prioritete, e asnjëra nga to nuk janë prioritetet e listuara nga Qeveria e Kosovës.

Si prioritet të parë Latifi llogariti nxjerrjen e legjislacionit të ri, pastaj ka folur për kthimin e trurit, për Qendrat e Ekselencës, Qendrat për Kërkime Shkencore e të tjera.

Latifi për dallim nga Kurti nuk ka përmendur fare sigurimet shëndetësore, raportin e sektorit publik e privat apo edhe Spitalin e Prishtinës.

“Për këtë, listoj shtatë shtyllat e Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2022-2025, si në vijim: Programi legjislativ, ku hynë 6 ligje dhe 18 Udhëzime Administrative dhe dy nota të konceptit; Masa për kthimin e trurit të humbur dhe ruajtja e trurit që kemi tash këtu, përmes; programeve të ndryshme konkrete, të cilat do ta forcojnë mirëqenien e mjekëve dhe avancimin e tyre profesional; 14 Qendrat apo programe të ndryshme klinike të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike me kuadro të avancuara klinike, duke futur këtu edhe Qendrën për Simulime dhe Edukime Teknologjike; Qendra për kërkime shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese; Akreditimi ndërkombëtar (në fillim) e pastaj vetjak i spitaleve, programeve të veçanta klinike dhe specializimeve; Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe ngritje e standardit të kualitetit të këtyre shërbimeve përmes programeve të specializuara ndërkombëtare; Decentralizimi i sistemit spitalor dhe riorganizimi i QKUK-së”, tha Latifi.

Për dallim nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë kanë kthyer përgjigje me shkrim në të gjitha pyetjet. Kanë thënë se programit të Qeverisë i janë shtuar prioritetet e ministrit Latifi. Mospërmendjen e tyre nga ana e Kurtit e kanë arsyetuar me faktin se në komunikatë përmblidhen vetëm gjërat më të rëndësishme.

“Me kryeministrin Kurti janë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe zhvillimin e sektorit të shëndetësisë. Dhe ato diskutohen rregullisht, jo vetëm në një takim që bëhet publik, sepse ministri mban kontakte të afërta me kryeministrin dhe e informon atë në vazhdimësi për situatën në shëndetësi, planet, projektet dhe sfidat, etj. Është normale që një komunikatë për media nuk mund t’i përmbajë krejt diskutimet e një takimi, por kryesisht jepen ato që janë thelbi i diskutimeve dhe me interes për publikun”, thuhet nga Zyra për Media në Ministrinë e Shëndetësisë.

KOHA ka mësuar se në atë takim kryeministri Kurti ua ka bërë me dije ministrit e bordit se tani e tutje do të merret edhe ai personalisht me shëndetësi.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se angazhimi i Kurtit nuk ka të bëjë me mosbesim në ministrin e Shëndetësisë, por që ai e ka pasur prioritet shëndetësinë prej fillimit të qeverisjes.

Megjithatë, përveç pandemisë rrallë Kurti ka folur në publik për shëndetësinë gjatë qeverisjes së tij.

Ky sektor është vazhdimisht në qendër të kritikave për mungesë të rezultateve gjatë Qeverisë Kurti 2.