Arbëri

Rama: Shqipëria shënoi rritje në turizëm, e dyta në Mesdhe pas Antalias

Radhime, Turizmi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipëria ka shënuar rritjen më të lartë të turizmit në të gjithë zonën e Mesdheut, duke zënë vendin e dytë pas Antalias.

Rama i është referuar një klasifikimi të bërë për rritjen e turizmit në Mesdhe.

Ai ka publikuar shifrat e turistëve të huaj për këtë sezon në Shqipëri, ku sipas Ramës në shifrat e qershorit, korrikut e fillim gushtit nuk përfshihet numri i turistëve nga Kosova.

Sipas këtyre shifrave javën e parë të gushtit në Shqipëri kanë hyrë 482.818 turistë. Për sa i përket korrikut për gjatë të gjithë muajit në Shqipëri kanë hyrë 1.403.33 turistë të huaj.

“Jo më larg se sot unë kam marrë shifrat e këtij viti, që flasin më qartë se çdo fjalim, për vizitorët e huaj, duke përjashtuar vizitorët nga Kosova, që hyjnë të paregjistruar. Në qershor kemi pasur 604 mijë turistë, përfshirë dhe turistët nga Kosova. Sot kemi 876 mijë turistë të huaj, pasaporta të huaja, as të Shqipërisë, as të Kosovës. Në korrik kemi pasur 1.1 milionë, sot kemi 1.4 milionë pasaporta të huaja. Nuk llogariten këtu shtetasit e Kosovës, të cilët prej 1 qershorit hyjnë lirisht pa ndaluar në kufi. Në këtë periudhë, 1 deri në 7 gusht, 411 mijë vjet, 482 mijë sivjet. Në një nga klasifikimet e bëra për rritjen më të lartë të turizmit, në gjithë zonën e Mesdheut, Tirana zë vendin e dytë pas Antalias”, tha Edi Rama.

Shqipëria vijon të mbetet vendi i preferuar nga turistët e huaj për shkak të larmishmërisë dhe bukurive të shumta natyrore, çmimeve ende më të ulëta se fqinjët, por edhe e favorizuar, deri diku, nga problematikat e ndryshme të udhëtimit në rajone të tjera. Megjithatë, çmimet e larta kanë stepur pushuesit në jug të Shqipërisë (Zona e Himarës), me operatorët që pranojnë se janë shkurtuar ditët e qëndrimit, apo reduktuar udhëtimet në fundjavë.

Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, ka thënë se nga vlerësimet e tyre për fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, bregdeti i Durrësi-Golemit është i vetmi që ka më shumë pushues në njësitë akomoduese në krahasim me vitin e kaluar.

“Si kapacitet i shfrytëzimit të hoteleve dhe plazheve, përveç Durrësit, të tjerët janë më keq se vitin e kaluar”.

Kasa shtoi se Bregdeti Durrës- Kavajë ka një zënie të kapaciteteve mbi 90%. Pas Durrësit, më mirë është Velipoja, me 90%. Ndërsa bregdeti i Sarandës është mbi 70%, ndërsa ai i Vlorës 75-80%.Më dobët, sipas tij, këtë vit paraqitet bregdeti i Himarës, që ka një zënie të kapaciteteve prej 55-60%. Dobët rezulton dhe Shëngjini këtë vit, ku Kasa thotë se zënia e kapaciteteve është 70-75%.

Por një nga arsyet e braktisjes së bregdetit të Himarës, përveç çmimeve të larta është edhe mangësia në siguri fizike e qetësi, që kulmon me luftën e shezloneve, apo infrastrukturës së dobët për sigurinë e jetës e të shëndetit.

Por aksidentet tragjike të ndodhura në territoret turistike, veçanërisht ato të shkaktuara nga mjetet e argëtimit në ujë, si rasti i një djali të ri, i cili vetëm pak javë më parë u dëmtua rëndë dhe ende është në spital, por që morën përmasë alarmante me aksidentin e disa ditëve më parë, kur një 7-vjeçare humbi jetën në bregun e detit, nxorën në dritë pikërisht atë çfarë prej kohësh kritikoheshin institucionet përkatëse në Shqipëri: mungesë vizioni për industrinë turistike, papërgjegjshmëri në administrimin e territorit në tokë dhe ujë, si tregues të qartë të korrupsionit.