Arbëri

Peci: Po tentohet futja e islamit politik përmes institucioneve shtetërore

Descriptive Text

Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i Institutit “Kipred”, ka thënë se fushata e nisur së fundmi që në shkolla të lejohet bartja e shamisë islame, ka për qëllim që të fusë islamin politik përmes institucioneve shtetërore.

Ka disa ditë që në rrjete sociale po bëhet thirrje për ndryshim të udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e shamive në shkolla. Sipas Pecit, po që se Qeveria vendos pro kësaj kërkese, “me këtë karakteri sekular i vendit tonë do të goditet në themel, e me këtë edhe shtylla mbajtëse e identitetit shqiptar në vendin tonë”.

“Së pari duhet të shtrohet pyetja se çfarë agjende janë duke shtyrë ata që po e kërkojnë këtë gjë? A kemi këtu të bëjmë me të drejtat e njeriut, apo me atë që e ka emrin e vërtetë – futjen e islamit politik përmes derës së vogël në institucionet shtetërore? Unë jam i bindur që ka të bëjë me të dytën, që në thelb ka të bëjë me ndryshimin e karakterit sekular të Kosovës që do ta shkatërrojë kohezionin shoqëror të popullit tonë. Këto çfarë po them, nuk janë hamendje, por është një bindje e ndërtuar nga hulumtimet në terren, të zhvilluara në vitet e fundit në shumë pjesë të Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook të martën në mbrëmje.

Sipas Pecit, kërkesa që të lejohen shamitë në shkolla është “agjendë afatgjate” dhe se për “cak ka gjeneratat e ardhshme”. Ai ka thënë se me këtë kërkesë mëtohet të ndërrohet karakteri shoqëror dhe politik i vendit dhe popullit.

“Një agjendë e tillë, në thelb ka për qëllim trasimin e një agjende anti-perëndimore, që është në kundërshtim me vetë bazamentin e civilizimit evropian të popullit shqiptar, dhe atë që përmes premisave të ‘vëllazërisë myslimane’ të metastazojë ideologjinë e ‘umasë muslimane’ që tani ka marrë përmasat e një ‘kombi global’, që nuk i njeh identitetet nacionale të kombeve të ndryshme që kanë besimtarë islamë. ‘Umaja myslimane’ është duke zënë rrënjë tek gjeneratat e reja. Një numër i konsiderueshëm i të rinjve i konsideron më të afërt myslimanët e një vendi të largët islam, si për shembull Indonezisë, që kurrë në jetë nuk i kanë takuar në jetën e tyre, sesa një shqiptar të konfesionit tjetër, apo ateist”, ka vazhduar Peci.

Sipas tij, me këtë agjendë do t’u plotësoheshin dëshirat Serbisë dhe armiqve të tjerë të Kosovës, “ashtu si ju janë plotësuar dëshirat e Rusisë ndaj Çeçenisë, që nga një popull me nacionalizëm sekular, kur ishin nën udhëheqjen e gjeneralit Dudajev, dhe pothuajse e kishin pavarësinë në dorë, u shndërruan në vasal të ndytë të Rusisë nën udhëheqjen e radikalit islamik Kadyrovit, që bashkëjeton me ortodoksinë ruse, dhe lufton kundër Ukrainës pro-perëndimore”.

Në fund, Peci ka shtuar faktin se “pothuajse asnjë nga vendet islame, nuk e konsideron armik Rusinë e Putinit, ndërsa ata e respektojnë mbrojtjen amerikane, kryesisht prej frikës që e kanë nga Irani”.

“Prandaj, duhet ta vëmë gishtin në kokë, dhe të mos e shkatërrojmë të ardhmen e vendit dhe të popullit tonë, që e ka arritur lirinë dhe pavarësinë me shumë sakrifica dhe me ndihmën kyçe të perëndimit, aty ku e kemi edhe vendin si popull me civilizim evropian”, ka përfunduar ai.

Kërkesa për ndryshim të udhëzimit administrativ ka nisur të shpërndahet me të madhe në rrjetet sociale. Qytetarë të shumtë po u shkruajnë në komente qeveritarëve me këtë kërkesë.