Arbëri

Goncharenko: Është koha që Ukraina ta njohë Kosovën

Deputeti ukrainas Oleksyi Goncharenko ka treguar arsyet që e kanë shtyrë që të dorëzojë një rezolutë në Parlamentin e Ukrainës ku kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Goncharenko të shtunën bëri bujë duke njoftuar në Twitter se ka deponuar një rezolutë në Parlamentin e Ukrainës ku ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai pak orë më pas kishte njoftuar se është kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale nga serbët.

Goncharenko në Interaktiv të KTV-së ka treguar se qëllimi i rezolutës së propozuar është që më në fund ta shtyjë Ukrainën që ta njohë shtetësinë e Kosovës.

“Është në të vërtetët mjaftë e thjeshtë. Po e përmendi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Kombeve të Bashkuara dhe gjithë situatën që ka ndodhur në Kosovë. Dhe, i kam propozuar Parlamentit të Ukrainës ta adoptojë një rezolutë për njohje të Kosovës si shtet të pavarur e sovran. Kështu që nuk është një rezolutë e madhe. Por qëllimi është mjaftë i qartë. Deri më tash Ukraina nuk e ka njohur si shtet të pavarur dhe sovran dhe mendoj se është diçka që duhet të ndryshojë dhe ne duhet ta bëjmë këtë gjë tash. Ky është qëllimi i rezolutës që kam propozuar”, tha Goncharenko.

Ai ka thënë se Ukraina duhet ta njohë Kosovën, pasi gjithë ato hezitime që kishte, se Rusia mund të përdorë një paralele mes Kosovës dhe Donbasit e Krimesë, kanë ndryshuar pas 24 shkurtit. Ai ka thënë se Ukraina duhet ta shohë hartën e shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe të veprojë njëjtë.

“Mendoj se pas 24 shkurtit, çdo gjë për gjithë botën u bë absolutisht e qartë: Në Ukrainë ne kemi një situatë tërësisht ndryshe. Në Ukraine ne kemi pushtim nga fqinji ynë, që është agresori – Rusia, dhe është absolutisht ndryshe me atë se çfarë ka ndodhur më shumë se 20 vjet më parë në Kosovë. Prandaj, mendoj se duhet ta njohim Kosovën, sepse nëse po ashtu shikoni hartën e vendeve që tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, janë po të njëjtat vende që po përkrahin Ukrainën - kjo është bota e lirë. Është SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe 22 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, në të cilën Ukraina është bërë shtet kandidat së fundmi vetëm para një muaji. Dhe, prandaj duhet ta bëjmë këtë hap tash sepse pas 24 shkurtit, të gjitha brengat që i kishim janë të sajuara. Pra se njohja e pavarësisë mund të jetë dëm për Ukrainën”, ka thënë Goncharenko.

Ai po ashtu ka folur për paralelet që ngre ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov mes Kosovës dhe Donbasit.

“Së pari, do ta pyesja zotëri Lavrov: Pse Rusia nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës? Por, është e qartë se kemi të bëjmë me një paralele të rrejshme. Absolutisht paralele e rrejshme sepse çfarë ka ndodhur në Ukrainë është një pushtim. Ky pushtim filloi më 2014, së pari u pushtua Krimea, pastaj një pjesë e Donbasit, tash edhe më shumë territore ukrainase janë të pushtuara. Dhe çfarë ndodhi në Kosovë: ishte një situatë ku 90 për qind e njerëzve ishin të kërcënuar të kryhej gjenocid ndaj tyre. Në tokën e tyre. Ai ishte hapi që të mbroheshin njerëzit, të ndalohej gjenocidi atje. Dhe kjo është krejtësisht ndryshe sepse këtu nuk janë rusë. Janë rusfolës. Unë flas rusisht. Gjuha ime e parë është rusishtja. Por, nuk kam ndonjë problem në Ukrainë. Shteti i Ukrainës gjithnjë i ka respektuar ata që flasin rusisht, më ka respektuar mua dhe më respekton edhe tash. I respekton të gjitha të drejtat e mia dhe unë jam i lumtur për këtë. Ky nuk ishte rasti me shqiptarët që jetonin në Kosovë, duke qenë pjesë e Serbisë. Kjo është e qartë. Gjitha këto paralele janë të tërësisht rrejshme. Në Ukrainë kemi një pushtim, në Kosovë kemi vetëvendosje të njerëzve, të cilët u shtynë madje nga një regjim kriminal ndaj tyre, nga qeveria e shtetit në të cilin kishin jetuar”, tha Goncharenko.