1 perditesime
19:25

Mërgimtarët presin deri në 4 orë për dalje nga pika kufitare në Merdar

Në pikën kufitare të Merdarit, që e lidh Kosovën me Serbinë, të shtunën radhët e veturave që prisnin për kalim kanë qenë të gjata.

Fluksi i madh i bashkatdhetarëve që kanë mësyrë kthimin në vendet prej nga kanë ardhur ka ndikuar që kolona e automjeteve të jetë deri në dy kilometra.

Pas përfundimit të pushimeve në Kosovë, mërgimtarët po përballën sërish me kolona të gjata, këtu në pikën kufitare në Merdar. Ata tregojnë se, ani që kanë ardhur herët në kufi, janë detyruar të presin deri në katër orë.

Me gjithë pritjet, disa nga mërgimtarët nuk shprehin vërejtje.

“Jemi duke udhëtuar për në Gjermani. Jemi tri orë afërsisht në kolonë, por mirë po kalojmë. Kryesorja që është kemi kaluar mirë në Kosovë. Pritjet janë të gjata”, tha mërgimtarja Feride Çitaku.

“Në kufi, qe dy orë, dy orë e gjysmë, qashtu”, tha Arianit Bucolli.

“Që nga ora 11. Fluksi i madh i njerëzve që po kthehen prapë nëpër vendet që kanë punuar”, tha Sokol Uka.

E mërgimtari Vehbi Kadrolli, fajin për radhët dhe pritjet e gjata e adreson diku tjetër.

“Veç këtu nja katër orë, katër orë e gjysmë. Vallahin nuk është bre shumë mirë qeshtu me pritë shumë. Ku tash kemi me shku edhe andej, shumë, shumë rrugë. Nuk e di pse nuk po bëjnë pak më shpejt. Nuk pe di prej cilës anë është kjo punë. Shumë, shumë kemi pritur, edhe me fëmijë të vegjël jemi. Nuk pe di cila është arsyeja. Po ma merr mendja prej serbëve andej, këndej nuk besoj”, tha Kadrolli.

Nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar është konfirmuar se mërgimtarëve gjatë mesditës u është dashur që të presin deri në 4 orë për të dalë nga Kosova, derisa për të hyrë pritjet kanë zgjatur rreth 30 minuta deri në 1 orë.

E në pikën e kalimit te Dheu i Bardhë, sipas të dhënave të kësaj qendre, pritjet për dalje zgjasin nga 60 deri në 80 minuta, përderisa ato për hyrje rreth 15 deri 20 minuta.

19:01

Pritje deri në katër orë në dalje në Merdar

Në pikën kufitare në Merdar vazhdon të ketë pritje të gjata në dalje nga territori i Kosovës.

Pritjet në këtë pikë në dalje janë deri në katër orë, ndërsa në hyrje janë deri në 20 minuta.

Pritje deri në gjysmë ore ka edhe në dalje në pikat kufitare Dheu i Bardhë dhe Muçibabë, sipas informatave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

 

Image