Arbëri

Gjocaj: Shpallja e masave të emergjencës nuk pritet ta zbusë krizën energjetike

Vendimi për masat e emergjencës në furnizimin me energji elektrike të propozuar nga Qeveria dhe miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nga shoqëria civile po cilësohet si vendim i vonuar dhe nuk presin të ndihmojë në zbutjen e krizës energjetike.

Liron Gjocaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) tha për KosovaPress se këto masa nuk pritet të parandalojnë krizën energjetike ose të zbusin dëmin që parashihet të ndodhë për qytetarët e Kosovës.

Duke folur për masat emergjente që do të jenë të vlefshme në një kohëzgjatje maksimale për 60 ditë të ardhshme, Gjocaj paralajmëroi se kriza energjetike në dimrin e ardhshëm do të jetë më e thellë se ajo e vitit të kaluar.

“Masat e miratuara i shohim adekuate deri në një formë, por jo në atë pikë ku të parandalojmë krizën energjetike apo të zbusin dëmin që parashihet të ndodhë për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne tash e sa muaj po propozojmë masa konkrete, rekomandime të cilat po të fillonin të zbatoheshin qysh në përfundimin e dimrit e deri më tani, por edhe në muajt në vazhdim kur temperaturat bien dhe qytetarët fillojnë të përdorin energjinë elektrike për ngrohje, këto masa do të ndikonin në zbutjen e konsumit dhe në zbutjen e dëmit që parashihet të kemi me krizën energjetike”, tha ai.

Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ka rritje të jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë në tregun evropian e cila sipas saj do të ndikojë negativisht edhe në Kosovë gjatë muajve në vijim.

Gjocaj po paralajmëron krizë më të thellë energjetike për shkak të mungesës së kapaciteteve energjetike në vend dhe importit të lartë të energjisë elektrike.

“Duke ditur këtë, Kosova bëhet një shtet importues dhe sipas të dhënave nga raportet vjetore të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, diku deri 19-20 përqind të energjisë totale në Kosovë importohet nga jashtë. Rrjedhimisht 1/5 e energjisë në Kosovë po importohet e një gjë e tillë direkt preket nga kriza energjetike, edhe qytetarët, për shkak se kur një sasi kaq e lartë e energjisë elektrike importohet, e bën të pamundur evitimin e krizës energjetike për një periudhë kaq të shkurtër”, thotë ai.

Masat e emergjencës të miratuara në Kuvend, ndër të tjera, përfshijnë: Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Partitë opozitare nuk i kanë mbështetur masat emergjente, duke thënë se një vendim i tillë nuk ndihmon në furnizim të qëndrueshëm me energji.

Kriza energjetike në Kosovë, rajon dhe në Evropë, është si rrjedhojë e agresionit rus në Ukrainë, si dhe për shkak të ndalimit të eksportit të gazit nga ana e Rusisë për vendet evropiane.