Arbëri

Kondirolli: Heqja e titujve akademikë është më e pakta që UP-ja mund të bëjë ndaj plagjiatorëve

Adea Kondirolli

Adea Kondirolli nga Organizata për Rritje të Cilësisë në Arsim (ORCA), ka thënë se heqja e titujve akademikë është më e pakta që Universiteti i Prishtinës mund të bëjë ndaj plagjiatorëve.

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka konstatuar të enjten, se dekani dhe katër profesorë të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit kanë bërë plagjiaturë.

Për cenim të të drejtave autoriale, dekani Musa Selimi, profesorët Bylbyl Sokoli, Ajvaz Berisha, Hazir Salihu dhe Afrim Koca janë dënuar nga ky Këshill me mosmentorim të diplomave për një periudhë prej dy deri në tri vjet.

Këtë vit, Këshilli i Etikës ka dënuar për plagjiaturë edhe dy profesorë të UP-së. Bujar Dugolli është dënuar me mosmentorim të temave të diplomës në nivel master dhe doktoratë në dy vitet e ardhshme, ndërsa Ardian Kastratit i është ndaluar mentorimi në të gjitha nivelet e studimit, për tri vjet.

“Nuk ka asnjë shtet në botë apo universitet, ku konfirmohet se profesori që ka bërë plagjiaturë në punim shkencor apo temë diplome, e prapë mbetet ligjërues apo në pozitë menaxhierial e përfaqësues i stafit akademik. Absurde është që universiteti me i mbajt në radhët e veta e me promovu këtë punë. Këta po thonë se mundesh me bë plagjiaturë e ndoshta me të zënë, të dënojmë pak e mbetesh në mesin tonë. Pagat thuase mbesin njëjtë, vetëm se ka më pak punë kur hiqet mentorimi i temave. UP, Këshilli i Etikës e gjitha instancat janë duke e miratuar e vlerësuar faktin se profesorët bëjnë plagjiaturë. I lënë në pozita të dalin para studentëve. E kështu edhe studentët i marrin shembuj e krijohet një rreth vicioz”, tha Kondirolli në Interaktiv të KTV-së. 

Kondirolli ka thënë se nëse profesorët tjerë nuk reagojnë ndaj profesorëve plagjiatorë, apo nuk denoncojnë ata, atëherë edhe vetë përfshihen në këto mashtrime.

“Nuk kemi parë rast të ndonjë profesori nga UP apo në përgjithësi që ka reaguar pas vendimeve të Këshillit të Etikës. Nuk janë përfshi, ndoshta kanë diskutuar mes vete, shpresoj të kenë bërë këtë. Ndoshta kanë frikë për veten apo kolegët tjerë. Nuk mjafton që vetëm një organizatë e shoqërisë civile nga jashtë të bëjë monitorim e të kritikojë universitetin, duhet kolegët mes vete të bëjnë këtë. Profesorët e mirë që nuk përfshihen në këto mashtrime, duket të marrin qëndrim ndaj kolegëve mashtrues. Nuk mund të heshtësh ndaj mashtrimeve që ndodhin, pasi edhe vetë përfshihesh në to”, ka thënë Kondirolli.