Arbëri

Rohde i reagon Petkoviqit: Të gjitha marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar ndaj drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke thënë se të gjitha marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen.

Sipas ambasadorit gjerman, krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet të adresohet si çështje.

“I nderuar, Petkoviq, po, të gjitha marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen. Për informatën tuaj: Kam deklaruar shumë herë se krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe duhet të adresohet, së fundmi e kam thënë në televizion, në “Slobodno Srpski” dhe “Kallxo Përnime”, dhe në takimet biletareale me Qeverinë e Kosovës në baza të rregullta”, ka shkruar Rohde.

Petkoviq të enjten e akuzoi ambasadorin Rohde duke thënë se “po flet të pavërteta në lidhje me reciprocitetin që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj Serbisë”.

“Përfaqësuesi gjerman në Prishtinë nuk po thotë të vërtetën. Si ndodh që shkelja e marrëveshjes dhe lëvizjet e dhunshme të Albin Kurtit të jenë legjitime? Sa është legjitime heqja e targave? Si ndodh që përfaqësuesi gjerman në Prishtinë heshti për këtë?”, kishte shkruar Petkoviq.