Arbëri

Borrelli: Kosova duhet ta themelojë Asociacionin pa vonesa

Josep Borrell, Bashkimi Evropian, Ballkani Perëndimor, Donika Gërvalla, Maj 2022

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka ripërsëritur se Kosova duhet ta themelojë sa më shpejt Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Borrell i është përgjigjur një pyetjeje parlamentare  se çfarë do të bëhej nëse Kosova e refuzon themelimin e Asociacionit.

“Themelimin i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është dakorduar me dy palët, Kosovën dhe Serbinë, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar në parlamentin e Kosovës dhe Kosova duhet t’i plotësojë obligimet ligjore dhe ta implementojë pa vonesa. Të dyja palët duhet të plotësojnë detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe t’i implementojnë marrëveshjet pa vonesa. Po ashtu duhet të bëjnë angazhim shtesë për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të normalizimit të marrëdhënieve, që është kyçe për rrugën evropiane”, thuhet në përgjigjen e Borrellit, raporton N1.

Borrell po ashtu ka thënë se BE-ja vazhdimisht ia ka kujtuar institucioneve të Kosovës për të implementuar shpejtë dhe plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pronësinë e tokës së Manastirit të Deçanit, dhe atë pa vonesa.