1 perditesime
19:11

KFOR-i konfirmon: Paqeruajtësit ukrainas po e lënë Kosovën

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka konfirmuar të mërkurën largimin e trupave ukrainase nga Kosova.

Zyra për Media e KFOR-it i ka thënë KOHËS se largimi i paqeruajtësve ukrainas nga Kosova është në përputhje me dekretin e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të lëshuar në mars, pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Falënderojmë trupat ukrainase për kontributin e tyre të rëndësishëm në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO gjatë shumë viteve. Për momentin, kontingjenti ukrainas përfshin 40 trupa. Ukraina ka qenë një kontribuuese e vlefshme në misionin tonë paqeruajtës që nga themelimi i KFOR-it në vitin 1999”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Por, a e ndikon KFOR-in ky largim?

Edhe me largimin e 40 trupave ukrainase, KFOR-i ka njoftuar se mbetet i përgatitur për të përmbushur rolin e tij dhe për të kryer mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara.

“Ne mirëpresim kontributet e kahershme të vendit (Ukrainës) në përpjekjet tona të përditshme në mbështetje të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe për konsolidimin e stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet më tej në përgjigjen e KFOR-it.

18:10

Ukraina raportohet se do të nisë tërheqjen e paqeruajtësve nga Kosova

Ukraina do të nisë tërheqjen e trupave paqeruajtëse nga misioni i NATO-s në Kosovë, ka raportuar “RBK-Ukraine” të mërkurën, duke u bazuar në burimet brenda shtabit ushtarak ukrainas.

Ukraina aktualisht ka rreth 40 paqeruajtës në Kosovë, si pjesë e misionit të KFOR-it. Presidenti i Ukrainë, Volodymyr Zelensky, në mars pati nënshkruar urdhrin që të gjitha misionet të kthehen në shtëpi për të ndihmuar në luftën kundër Rusisë.

“Rikthimi i kontingjentit kombëtar nënkupton dhënien fund përkohësisht pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it”, citohet të ketë thënë një komandant ukrainas.

Po ashtu është thënë se tërheqja e trupave ukrainase nga Kosova është në përputhje me dekretin e 7 marsit.

KFOR-i nuk ka komentuar deri tash raportimet.