Gjithsej 87 të rinj nga radhët e komuniteteve kanë aplikuar për 684 vende të lira për studentë në konkursin e shpallur nga universiteti më i madh publik në Kosovë. E prej këtyre, statusin e studentit të UP-së e kanë fituar 56 konkurrentë. Por, janë ngritur dyshime se në mesin e tyre ka edhe shqiptarë, që rrejshëm kanë paraqitur përkatësinë etnike gjatë aplikimit. Autoritetet kanë paralajmëruar një proces verifikimi
Gjithsej 56 të rinj që u përkasin komuniteteve joshumicë janë pranuar në afatin e parë të regjistrimit të studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës (UP). Numri i vendeve të rezervuara për ta ishte 684, por kanë aplikuar gjithsej 87.
Sipas të dhënave të Rektoratit, numër më të madh të aplikantëve nga komunitetet ka pasur në Fakultetin e Mjekësisë. Megjithatë, janë ngritur dyshimet nga vetë të rinjtë që kanë mësyrë regjistrimin në UP se jo të gjithë të pranuarit për këtë kategori janë nga komunitetet.
Një 18-vjeçare shqiptare nga Fushë-Kosova, emrin e kushërirës së saj e ka gjetur te kategoria e komuniteteve jo-shumicë, në listën e studentëve të pranuar në Fakultetin e Mjekësisë. Ajo në kushte anonimiteti tregoi se përveç kushërirës së saj, në listë ka hasur edhe emrin e një bashkëmoshatareje të saj, e cila është regjistruar rrejshëm në kuadër të komunitetit. Të dy këta emra janë të njohur për KOHËN.
Po ashtu edhe një gjimnaziste nga Prishtina, e cila kishte ardhur bashkë me motrën e saj për të rishikuar nëse i janë numëruar mirë pikët në testin pranues, ka thënë se në listën për drejtimin e Mjekësisë së Përgjithshme, ka qenë një fqinje e saj që i takon kombësisë shqiptare.
Në Komisionin Parlamentar për Arsim kanë thënë të jenë informuar për dyshime mbi keqpërdorim të kuotave të caktuara për komunitete.
Enis Kervan, deputet që i takon komunitetit turk, ka thënë se një sërë ankesash janë drejtuar nga aplikantët e komuniteteve joshumicë, që vendet e tyre janë zënë nga kandidatët shqiptarët.
“Shumë raste kemi. Ne mendojmë që njerëzit deklarohen me vetëdeklarim që janë nga komunitete joshumicë, por në fakt nuk janë dhe natyrisht i marrin vendet e garantuara për komunitete”, ka thënë deputeti Kervan.
Gjatë miratimit të Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë në muajin korrik, Kervan ka kërkuar që të përfshihet një amendament për verifikimin e personave që regjistrohen si pjesë e komuniteteve, mirëpo e ka tërhequr më pas meqë nuk ka mbërritur të marrë përkrahjen e deputetëve.
Pas dyshimeve të ngritura për abuzim me kuotat e ndara për komunitetet joshqiptare, profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Aurora Bakalli, kryetare e Komisionit të provimit pranues në këtë fakultet, ka treguar se listën e studentëve të pranuar në këtë afat të provimeve, do ta dërgojë për verifikim në Zyrën për Komunitete e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit.
“Ne jemi bazuar në vetëdeklarimin e tyre, ku ata mbajnë përgjegjësi, janë nënshkruar në deklarimin të cilin e kanë paraqitur, megjithatë, pas publikimit të listave përfundimtare, do të verifikohen nga institucionet përkatëse”, ka thënë ajo.
Sipas një raporti që është publikuar në uebfaqen e Fakultetit të Mjekësisë, pas provimit janë bërë 137 ankesa nga kandidatët që nuk janë pranuar si studentë. Vetëm tetë prej tyre janë cilësuar të bazuara. Ndërsa, tri nga to kanë qenë në lidhje me mospërfshirjen në listën e komuniteteve jo-shumicë.
Por, ndryshe nga Mjekësia ku shprehin interesim të regjistrohen, të rinj nga komunitetet joshumicë shprehin interesim të vogël për t’u bërë studentë në drejtime të tjera të universitetit më të madh publik në Kosovë.
Në këtë afat kanë qenë 684 vendeve të rezervuara për ta, por kanë aplikuar gjithsej 87.
Pragu i kalueshmërisë për kandidatët nga radha e komuniteteve joshumicë është 10 për qind më i ulët sesa për kandidatët e tjerë.
Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje për studentët, ka thënë se në konkursin plotësues që do të shpallet në shtator do të vendoset nëse vendet që nuk janë plotësuar për komunitete t’u kalojnë kandidatëve shqiptarë që kanë kaluar pragun e testit pranues.
Që nga viti akademik 2004/2005, Universiteti i Prishtinës zbaton kuotat prej 12 për qind për komunitetet joshumicë. Asnjëherë kjo kuotë nuk është plotësuar.
Sipas një raporti të organizatës “Admovere”, të publikuar në fund të vitit 2020, ende nuk dihet se si është marrë vendimi për kuotën dhe se cili ka qenë efekti i saj, pasi që asnjëherë nuk është bërë analizë strategjike e as e trendeve të dala nga ajo.
Një ndër arsyet e interesimit të vogël të komuniteteve për të studiuar, është përmendur përfshirja e ulët e komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptian në arsimin parauniversitar. Sipas statistikave të arsimit për vitin shkollor 2021/2022, nga numri i përgjithshëm i nxënësve të përfshirë në arsimin fillor dhe atë të mesëm të ulët, 3 për qind i përkasin këtyre tri komuniteteve, ndërkaq në nivelin e mesëm të lartë, 2 për qind nga numri i përgjithshëm i nxënësve.
Në raportin e Admoveres, si një nga pengesat është listuar edhe gjuha. Komunitetet e kanë të drejtë të garantuar që testin e provimit pranues ta kenë të përkthyer në gjuhën e tyre, por në UP studimet tutje zhvillohen në gjuhën shqipe. Ndërsa, kurse të gjuhës shqipe nuk ofrohen nga universiteti.
UP-ja ofron dy drejtime në të cilat komunitetet joshumicë mund të studiojnë në gjuhën e tyre. Në Fakultetin e Filologjisë ofrohet drejtimi për Gjuhë dhe Letërsi Turke, si dhe programi më i ri këtij fakultetit, i cili është akredituar në vitin 2021, “Ballkanistika”. Kurrikula e programit të studimeve në drejtimin e Ballkanistikës parashikon që studentët të zotërojnë një nga gjuhët ballkanike, si shqipja, serbishtja, boshnjakishtja, kroatishtja apo maqedonishtja.
Ndërsa, për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian, nuk ofrohet ndonjë lëndë nga UP-ja në gjuhën e tyre.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.