Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se për 6 muaj, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka nisur më shumë projekte sesa Qeveria Kurti.
Në një vizitë që bëri në Mitrovicë të premten, Krasniqi ka thënë se kjo komunë “është modeli qeverisës i PDK-së”.
“Modelin, i cili në fokus ka qytetarin. Por më shumë sesa që jemi ne krenarë, ajo që është e rëndësishme është që sot janë krenarë qytetarët e Mitrovicës, janë ata që po e shohin për një periudhë shumë të shkurtër një fillim të transformimit të qytetit. Bedri Hamza si kryetar i Komunës së Mitrovicës, e që sjell një përvojë dhe një bagazh të jashtëzakonshëm në pozicione më të larta udhëheqëse në shtetin tonë vërtetë i ka sjellë një vlerë të jashtëzakonshme Komunës së Mitrovicës, duke e kthyer këtë vend në kantier ndërtimi pas pothuajse 8 vitesh stagnimi”, ka thënë ai, sipas njoftimit të PDK-së.
Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që t’i marrë parasysh kërkesat e komunave për rishikim të buxhetit.
“Ajo që vlen edhe në Mitrovicë të theksohet është fakti që krejt këto projekte që po i shohim sot janë duke u bërë me vetëfinancim, me mjetet vetanake të komunës dhe me donacionet që Hamza ka arritur t’i marrë nga donatorët e shumtë ndërkombëtarë. Por, vërehet një mungesë e mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore. Këtu edhe një herë e bëjmë një ftesë që e kemi bërë anë e kënd Kosovës në vizitat tona në terren, që qeveria duhet të kthjellet, duhet të kthejë sytë kah komunat, duhet të komunikojë e të bashkëpunojë me kryetarët e komunave, sepse në fund të fundit këta janë adresa e parë e qytetarëve të Kosovës. Për 6 muaj, kryetari Bedri Hamza ka nisur më shumë projekte se Qeveria e Albin Kurtit”, ka thënë Krasniqi.