1 perditesime
23:21

Blinken: Kosova, partnere e palëkundur e SHBA-së

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka quajtur Kosovën partnere të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në hyrje të takimit me krerët e Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ai ka thënë se ka histori të gjatë mes dy shteteve, ndërsa ka falënderuar Kosovën për pritjen e refugjatëve afganë dhe përkrahjen për Ukrainën.

“Është një histori e gjatë midis nesh, ne po punojmë bashkë në shumë çështje të ndryshme”, ka thënë Blinkeni.

Ai ka përsëritur se të mërkurën Kosova do të nënshkruajë marrëveshjen me MCC-në për Programin Kompakt që ka të bëjë me projektet për energjinë.

Ndërkaq presidentja Osmani ka thënë se në SHBA shkon me mesazhin falënderues nga populli i Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të SHBA-së për Kosovën.

Ajo ka thënë se ndihma amerikane ka qenë ekzistenciale për të arritur lirinë, në rrugën për pavarësi e në zhvillimin si demokraci.

Osmani ka thënë po ashtu se garanton që Kosova është me popullin e Ukrainës kundër agresionit rus.

“Vladimir Putini do të përpiqet të destabilizojë rajonin. Do të vazhdojmë të jemi partner i palëkundur i SHBA-së dhe Evropës që të sigurohemi që planet e Rusisë të ndalen”, ka thënë ajo. “Do të na nevojitet përkrahja e Shteteve të Bashkuara që ta largojmë ndikimin rus nga rajoni”.

23:05

Nis takimi i krerëve të Kosovës me Blinkenin

Ka nisur në Departamentin Amerikan të Shtetit takimi mes krerëve të Kosovës dhe Sekretarit amerikan, Antony Blinken, ka raportuar televizioni publik të martën në mbrëmje, sipas kohës sonë lokale.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, sipas njoftimit të hershëm të sotëm, me Blinkenin do të takohen “për ta forcuar më tej partneritetin e hekurt”.

“Do t’i diskutojmë mënyrat për t’i afruar dy popujt dhe vendet tona, në këtë kohë kyç për demokracinë, paqen dhe sigurinë në mbarë botën”, njoftoi Osmani në mëngjes.

Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, udhëtuan të hënën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nënshkrimin e marrëveshjes 200-milionëdollarëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.

Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar në fund të qershorit Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh. Marrëveshja ka të bëjë me projektet për energjinë.