Arbëri

Konkurrenca më e madhe në Mjekësi e më e vogla në Filozofi

Pesëfish më i lartë është numri i konkurrentëve në raport me numrin e atyre që do të vijojnë studimet për mjekësi, ndërkaq mungesa më e madhe e interesimit në nivel universiteti është treguar për degën e Filozofisë – 13 maturantë kanë konkurruar, ani se dega ka paraparë t’i regjistrojë 100 studentë. Pas një viti pauzë, edhe dega e Elektroenergjetikës hapi dyert për pranimin e studentëve të rinj, por ndonëse konsiderohet program me interes nacional, për 60 vende kanë aplikuar gjithsej 32 maturantë

Universiteti i Prishtinës ka organizuar provimin pranues të premten dhe gara kryesore bëhet për statusin e studentit në Degën e Mjekësisë së Përgjithshme. Pesëfish më i lartë është numri i konkurrentëve në raport me numrin e atyre që do të vijojnë studimet për mjekësi, ndërkaq mungesa më e madhe e interesimit në nivel universiteti është treguar për degën e Filozofisë.

Mosinteresim është treguar edhe për profilet që konsiderohet të jenë interes nacional.

Vetëm 32 kandidatë për studentët iu nënshtruan të premten provimit pranues në Degën e Elektroenergjetikës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK). Konkursi parashihte pranimin e 60 studentëve të rinj.

Shefi i Departamentit të Elektroenergjetikës, Bahri Prebreza, i cili e konsideron si program me rëndësi nacionale, ka thënë se nuk kanë pasur kohë t’i informojnë maturantët për këtë program, pasi njoftimin për akreditim e kanë marrë shumë vonë.

“Një faktor ndoshta që ka mundur të ndikojë që numri me qenë ky që është, edhe pse kemi pritur që numri të jetë më i madh edhe në afatin e parë të konkurrimit, është se vendimi nga Agjencia e Kosovës për Akreditim ka ardhur vonë”, ka thënë Prebreza.

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike hapi dyert për pranimin e studentëve të rinj në programin e Elektroenergjetikës pas një viti pauzë. Kjo për shkakun se drejtimi i Elektroenergjetikës nuk ishte akredituar për vitin akademik 2021/2022.

Sipas raportit të ekspertëve, i publikuar vitin e kaluar, kapitujt që janë vlerësuar se janë të përmbushur pjesërisht kanë qenë: Misioni, objektivat dhe administrata; menaxhimi cilësor; përmbajtja e procesit arsimor; hulumtimet shkencore; infrastruktura dhe resurset. Ndërsa si të përmbushura mjaftueshëm u cilësuan kriteri i studentëve dhe stafit akademik. Sivjet, sipas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Elektroenergjetika i ka përmbushur substancialisht pesë standarde dhe një pjesërisht.

Sipas Prebrezës, standardi që është vlerësuar së është përmbushur pjesërisht ka të bëjë me misionin, objektivat dhe administratën.
“Shumica e standardeve që kërkohen janë plotësuar për akreditim të programit. Sa i përket infrastrukturës kushtet janë plotësuar. Edhe me aplikimin e vitit të kaluar në akreditim kemi pasur infrastrukturë të ngjashme, por fatkeqësisht akreditimi nuk ka ndodhur vitin e kaluar, por këtë vit”, ka thënë ai.

Ndryshe nga drejtimi i Elektroenergjetikës, numër të madh të interesuarve pati programi i Inxhinierisë Kompjuterike dhe Softuerike në FIEK.

Dekani i këtij fakulteti, Isak Shabani, ka thënë se kanë pasur gjithsej 577 aplikime për 410 vende të lira.

“Interesim më të madh kemi në Inxhinierinë Kompjuterike dhe Softuerike, ku gjithsej për 150 vende, duke i përfshirë edhe ato të minoriteteve, kanë aplikuar 491”, ka thënë ai.

Sipas Shabanit, kandidatët që kalojnë testin, por nuk arrijnë të regjistrohen në drejtimin e Inxhinierisë Kompjuterike dhe Softuerike mund të regjistrohen me automatizëm në drejtimet e tjera të fakultetit.

“Në ditën e dorëzimit të dokumenteve ne u tregojmë aplikuesve që të zgjedhin edhe drejtimin e dytë në rast se nuk pranohen në programin fillestar që kanë zgjedhur. Si opsion të dytë kemi që kanë zgjedhur më shumë në Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë. Pastaj është opsioni i tretë që më shumë e kanë zgjedhur drejtimin Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit”, ka thënë dekani i FIEK-ut.

Përveç programit të Elektroenergjetikës, këtë vit ka pasur rënie të interesimit edhe për t’u bërë pjesë e Fakultetit Filozofik. Vetëm 329 aplikime i ka pranuar ky fakultet, ndonëse në konkurs ka paraparë t’i regjistrojë 590 studentë të rinj.

Në programin Filozofi 13 të rinj kanë aplikuar për 100 vende të lira.

Dashamir Bërxulli, dekan në Filozofik, ka thënë se migrimi dhe ofrimi i mangët i shërbimeve të orientimit në karrierë të të rinjve janë disa nga arsyet e kësaj mungese të interesimit për të studiuar në fakultetin që e drejton.

“Përgjithësisht interesimi i kandidat-studentëve në afatin e parë këtë vit është më i vogël se vitet paraprake”, ka thënë Bërxulli, i cili ka numëruar edhe disa nga faktorët që kanë prodhuar mosinteresimin. “Rritja e preferencës për dalje më të shpejtë në tregun e punës, migrimi, ofrim i mangët i shërbimeve të orientimit në karrierë i të rinjve dhe shumë aktorë jocilësorë në arsimin e lartë në treg”.

Megjithëkëtë, prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentët e Universitetit të Prishtinës, Mimoza Ibrani, ka thënë se këtë vit ka pasur më shumë aplikime në nivel universiteti në krahasim me vitin paraprak. Sipas saj, 8 mijë aplikime kanë qenë sivjet për 5,647 vende të lira, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë 7,700 aplikime për 6,247 vende të lira.

Ibrani ka bërë të ditur se programi më i kërkuar sivjet ka qenë Mjekësia e Përgjithshme, ku për 200 vende të lira kanë aplikuar 991 kandidatë-studentë.

Gjatë ditës së enjte dhe të premte janë mbajtur provimet pranuese për kandidatët që synojnë të bëhen studentë të UP-së. Rezultatet e provimit publikohen më së largu më datën 23 korrik për grupin e parë dhe 25 korrik për grupin e dytë.