Arbëri

Meta: Shqipëria ka hapësirë veprimi për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i është drejtuar deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria lidhen me njëra-tjetrën me gjithçka, duke filluar nga gjuha, tradita, interesat, identiteti, e të tjera.

Meta ka thënë se Shqipëria i “mbështet fuqimisht përpjekjet që edhe Kosova të jetë anëtare e NATO-s, dhe se Shqipëria ka hapësirë për ta forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria i ka mundësitë dhe duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Si vend anëtar i NATO-s, anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit, si vend që sapo nisi negociatat e anëtarësimit në BE, Shqipëria ka një hapësirë veprimi ende të pashfrytëzuar sa duhet në dobi të forcimi të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare”, theksoi ai.

“Gjithçka e lidh Shqipërinë me Kosovën , tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, tradita, interesat dhe perspektiva evropiane dhe euroatlantike. Kjo lidhje e pandashme Shqipëri-Kosovë i ka rrënjët te gjaku i derdhur dhe sakrificat sublime, të heronjve tanë më të lavdishëm. Forca ripërtëritëse e marrëdhënieve tona qëndron te njerëzit”.

Meta tha se Kosovës duhet t’i hiqen sa më parë vizat dhe se duhet të binden shtetet që nuk e kanë njohur ende, ta njohin atë. Shtoi se duhet të shtyhet përpara dialogu me Serbinë që të arrihet njohje.

“Të krenohemi për lirinë dhe pavarësinë, por të qëndrojmë më vigjilentë ndaj rreziqeve të reja që na kanosen. Historia na e jep çdo të drejtë të krenohemi me luftën çlirimtare të UÇK-së, por të kujdesemi që kjo luftë të vazhdojë të mbetet e panjollosur siç e meriton. Të mbështesim kauzën heroike të luftëtarëve për tu mbrojtur dhe çliruar nga gjenocidi. Pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden padrejtësisht në Hagë do triumfojnë mbi çdo tentative të pashpresë që synon t’i kthejë agresorët në viktima dhe viktimat në agresorë. Kosova është jo vetëm faktor paqeje, sigurie, stabiliteti por edhe demokratizimi dhe evropianizimi në rajon”, tha Meta.

{gallery}