Arbëri

Serbia e falënderon Egjiptin, thotë se ky shtet e ka “ngrirë njohjen” e pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka takuar të mërkurën në Beograd, presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi dhe sipas tij, Egjipti ka “ngrirë njohjen” e pavarësisë së Kosovës, shkruan portali “N1”.

Ai ka falënderuar presidentin e Egjiptit, për siç ka thënë, “qëndrim korrekt kur bëhet fjalë për iniciativat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

“Serbia e vlerëson lart qëndrimin se Kajro nuk voton për anëtarësimin e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e kabinetit të Daçiqit.

Egjipti ka njohur pavarësinë e Kosovës në qershor të vitit 2013.

Serbia pretendon se ky vend afrikan ka ndërruar qëndrim dhe se tash “e ka ngrirë atë vendim për njohje” deri në përfundim të dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Gjatë ditës së mërkurë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka dekoruar el-Sisin me medalje.