Arbëri

Rekomandohen masa të shpejta për ndaljen e trendit të rritjes së rasteve me COVID-19

Trendi i rritjes së të infektuarve, sipas infektologut Hamdi Ramadani, duhet t’i shqetësojë autoritetet kompetente, ashtu që të ndërmerren masa të përgjithshme pandemike për të mos ardhur deri te mbyllja. Por, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ndryshimet eventuale të masave lidhen me ngarkesat e spitaleve

Rreth 37 për qind e testimeve kanë rezultuar pozitive në COVID-19 të premten. Me mbi 1 mijë e 200 raste të regjistruara, numri i të infektuarve ka kaluar në katërshifror.

Numri i lartë i infektimeve ka sjellë edhe rritje të numrit të testimeve dhe shtim të imunizimit. Sipas të dhënave nga MSH-ja, janë kryer mbi 3 mijë e 200 testime e 267 qytetarë janë vaksinuar.

Numër katërshifror i të infektuarve në Kosovë ishte regjistruar edhe në fillim të vitit, si dhe në periudhën gusht-shtator të 2021-s, porse atëherë rritja e rasteve përcillej me shtrëngim masash. Kufizimi i lëvizjes, grumbullimit, mbajtja e distancës e maskës ishin disa nga to.

Ndërmarrjen sa më të shpejtë të veprimeve, për ndaljen e këtij trendi të rritjes së rasteve e ka rekomanduar infektologu Hamdi Ramadani.

Ai ka thënë se numri i të infektuarve të paregjistruar është edhe më i madh.

“Unë mendoj që këto dy-tre ditët që vinë duhet shumë shpejt me bërë një analizë të mirë, të thukët, ta quajmë shumë serioze të situatës, të sëmundjes, të rasteve me hospitalizime në nivel vendi dhe në rajon dhe bazuar në të gjitha parametrat në të cilat do të dalin, atëherë duhet të merren hapa më të ndryshëm”, ka thënë ai.

“Këtu po nënkuptoj që të mendohet, masat shtesë për të parandaluar pandeminë, për ta ndalur, për ta kufizuar, siç janë masat e përgjithshme pandemike, pra masat në kuptimin e një distance të qytetarëve nëpër ahengje, kafiteri, dasma, qendra tregtare ditën, sidomos natën, të cilat janë të vërshuara”.

Derisa varianti në qarkullim i SARS COV-2 po manifestohet me përhapje të lartë, Ramadani ka ritheksuar rëndësinë e vaksinimit me dozën e tretë dhe të katërt.

“Duhet të bëhet gjithçka për të rikthyer interesimin e qytetarëve për të marrë vaksinën anti-COVID. Mendoj këtu për dozën e tretë të vaksinës, pasi që dy doza nuk e mbrojnë qytetarin ose popullatën nga sëmundja me pandeminë COVID-19”, ka rekomanduar infektologu Ramadani.

Bazuar në të dhënat e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) në klinikat COVID-19 në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, 51 pacientë të konfirmuar me COVID janë të hospitalizuar.

Në klinikat e QKUK-së janë të shtrirë 26 pacientë, kurse në spitalet e përgjithshme 25 pacientë.

Duke parë se ngarkesa e spitaleve aktualisht është e ulët, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se për momentin do të mbesin në fuqi masat e fundit.

“Kjo nuk do të thotë se masat në fuqi (të përditësuara së fundi më 30 prill) nuk mund të ndryshojnë, por ndryshimet eventuale lidhen me indikatorët kryesorë që janë ngarkesa e spitaleve me të infektuar që kërkojnë tretman, shkalla e rasteve që përfundojnë me fatalitet dhe projeksionet rreth përhapjes së mëtejme ditëve në vijim”, kanë thënë në një përgjigje me shkrim në MSH.

Për dallim nga tash, në korrikun e kaluar regjistroheshin rreth 30 raste apo më pak në ditë. Të enjten, MSH-ja miratoi dozën e parë të vaksinës për fëmijët e grupmoshës 5 deri në 11 vjeç. Rritje të numrit të të infektuarve javëve të fundit ka shënuar edhe Shqipëria, e vendet e tjera të rajonit dhe Evropës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ditë më parë, ka paralajmëruar rritje të numrit të rasteve me COVID gjatë verës në Evropë dhe u ka kërkuar anëtarëve të saj ta monitorojnë situatën.