Arbëri

Latifi bisedon me homologun austriak për “transformimin e shëndetësisë” në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u takua të premten në Austri me homologun e tij austrak Johsnnes Rauch. Situata me COVID-19 e bashkëpunimi mes dy qeverive kanë qenë temat kryesore të diskutimit mes dy ministrave.

Sipas njoftimit të MSH-së, Latifi i tregoi Rauchit edhe për planin e transformimit të shëndetësisë në Kosovë, duke i kërkuar përkrahjen e Austrisë.

“Ministri Latifi bisedoi me homologun e tij austriak edhe për shtatë shtyllat dhe për 14 Qendrat e Ekselencës, me të cilat synohet transformimi i shëndetësisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Latifi, sipas njoftimit, theks të veçantë i dha edhe bashkëpunimit në aspektin e trajnimit të stafit mjekësor të Kosovës, si të mjekëve, infermierëve dhe teknikëve mjekësor si dhe shkëmbimit të ekspertëve shëndetësor, gjithashtu edhe në fushën e hulumtimeve shkencore.

“Kosova e ka popullsinë shumë të re në moshë, ndërsa mundësia e bashkëpunimit për trajnime të stafit shëndetësor dhe hulumtime shkencore është i domosdoshëm, pasi që të rinjtë tanë kanë nevojë për mbështetje të tillë profesionale”, shtoi ministri Latifi.

Rauch e falënderoi Latifin për vizitën, duke i premtuar se do të bashkëpunojnë ngushtë për kërkesat që sistemi i shëndetësisë i ka në Kosovë. Ai tha se shkëmbimi i stafit mjekësor të Kosovës është i mirëseardhur, pikërisht në ato programe ku ka më së shumti nevojë.